Trump zgjedh Marco Rubio si Sekretar të Shtetit
Senatori republikan mund të bëhet amerikani i parë Latino i Amerikës në rolin e kryediplomatit të vendit. Përveç kësaj, Trump thuhet se ka zgjedhur një ministër të ri të sigurisë: Kristi Noem.
Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, pritet të emërojë senatorin e Floridas, Marco Rubio si sekretar Shteti, ka raportuar e përditshmja amerikane, New York Times.
Nëse emërimi miratohet, Rubio do të bëhet latino-amerikani i parë në rolin e kryediplomatit të Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 2016, Rubio u përpoq të bëhej kandidati presidencial republikan, por humbi nga Trump.
Përpara se zgjedhja të binte mbi J.D. Vance, Rubio u veçua si një nga kandidatët kryesorë për t’u bërë kandidati republikan për nënpresident.
Gazeta ka cituar tre njerëz, të cilët kanë thënë se vendimi nuk është final, mirëpo Trump duket i vendosur për Rubion, një besnik i Trumpit, të cilin ai nuk e ka marrë me vete në tiketën presidenciale.
Emri i Rubios është përmendur vazhdimisht në javën e fundit, si njëri prej personave në krye të diplomacisë amerikane në administratën e ardhshme.
Edhe emri i Richard Grenellit – i dërguar i Trumpit për Ballkanin në administratën e kaluar – është përmendur për këtë pozitë.
Nëse emërohet, Rubio do të bëhet arkitekti kryesor i vizionit të Trumpit, “Amerika e Para”, dhe do të çojë përpara synimet e Trumpit për dhënie fund të luftërave në Ukrainë dhe Lindje të Mesme.
Senatori tjetër nga Florida, Rick Scott, e ka uruar Rubion përmes një mesazhi në platformat sociale, duke thënë se “ai do të ringjallë udhëheqësinë amerikane në botë, sidomos në Amerikën Latine, pasi ai i përfaqëson Shtetet e Bashkuara dhe dinjitet dhe guxim”.
Nominimi i Rubios, kongresist me prejardhje nga Kuba, do të përbente kthesë në marrëdhëniet me Trumpin.
Linjë agresive
53-vjeçari Rubio ka qenë i njohur më parë për një linjë agresive të politikës së jashtme, veçanërisht ndaj vendeve si Kina, Irani dhe Kuba.
Vitet e fundit, megjithatë, ai është moderuar disi për t’iu afruar pikëpamjes së Trump për një politikë të jashtme më të përmbajtur.
– Unë nuk jam në anën e Rusisë – por fatkeqësisht realiteti është se mënyra se si do të përfundojë lufta në Ukrainë është me një zgjidhje të negociuar, tha Rubio për NBC në shtator.
Rubio ishte një nga 15 senatorët republikanë që votuan kundër një pakete ndihme ushtarake prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën në prill.
Zgjedhja e Rubios mund të ketë edhe rëndësi politike të brendshme. Trump mundi zëvendëspresidenten Kamala Harris në zgjedhjet e 5 nëntorit, pjesërisht falë mbështetjes së shtuar mes votuesve latinë. Duke i dhënë Rubios një rol qendror në administratë, Trump mund ta konsolidojë këtë mbështetje.
Si kryetar i Komisionit të Senatit për Inteligjencën, Rubio ka qenë një kritik i ashpër i Kinës. Ndër të tjera, ai inicioi një rishikim të sigurisë kombëtare të medias sociale kineze TikTok në 2019.
Familja u largua nga Kuba
Rubio, gjyshi i të cilit iku nga Kuba në vitin 1962, është gjithashtu një kundërshtar i hapur i normalizimit të marrëdhënieve me Kubën – një pikëpamje që ai ndan me Trump.
Administrata e ardhshme do të përballet me një botë më të paqëndrueshme dhe më të rrezikshme sesa kur Trump mori detyrën në vitin 2017, me luftëra të vazhdueshme në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme, si dhe me një Kinë që po përafrohet më ngushtë me kundërshtarët e SHBA-së, Rusinë dhe Iranin.
Trump i ka fituar bindshëm zgjedhjet e 5 nëntorit, ndërsa do ta marrë zyrtarisht pozitën në janar të vitit tjetër.
Fraksion.com