“Të parët në votime dhe…”, pensionistët protestë para Kryeministrisë: Hiqni dorë nga korrupsioni të na rritet pensioni
Pensionistët dhe Lëvizja Bashkë kanë dalë sërish sot para Kryeministrisë për të kërkuar rritjen e pensioneve. Ata thanë se pensioni nuk u del as për ilaçe e ushqimet e shportës, duke akuzuar qeverinë për korrupsion e vjedhje.
Me pankarta si “Punë një jetë, pensioni në dietë” apo “Hiqni dorë nga korrupsioni të na rritet pensioni”, pensionistët kanë bërë thirrje për t’u bashkuar.
“Me 200 mijë lekë çfarë do bëjmë. Pensionistët janë të parët në votime dhe të parët në detyrime. Ku është Kontrolli i Shtetit, ku janë sindikatat që nuk ndjehen fare. Shtresa e tretë ka vuajtur në kohën e Enverit dhe të Hitlerit. Na iku Enveri, erdhi Hitleri. Ku jeni o shqiptarë, fëmijët tanë të vijnë të votojnë për ta hedhur këtë”, tha një e moshuar.
“Pensioni social 500 euro. Ky na do vetëm votën. Vërtetë na ka gjunjëzuar nga ana ekonomike, na ka bërë me oksigjen, por ama ditën e votimit ta çojmë këtë në oksigjen, t’ia heqim tubat këtij. Më keq se sot nuk do bëhemi. Të mblidhemi dhe ta rrëzojmë me votën”, u shpreh një tjetër pensionist.
Fraksion.com