AktualitetRajoniTë fundit

Rubio dhe mbështetja për Ballkanin në mes të tensioneve globale

Forcat e armatosura amerikane “ndaluan nazizmin dhe komunizmin” dhe “të këqija të tjera, si spastrimi etnik serb”.

“Ato ndihmuan në lindjen e demokracive – nga Gjermania në Irak”.

Këto deklarata i bëri Marco Rubio, senator i Partisë Republikane në Shtetet e Bashkuara, gjatë një fjalimi për rolin e Amerikës në botë, në vitin 2011.

Trembëdhjetë vjet më vonë, emri i tij përflitet për pozitën e sekretarit amerikan të Shtetit.

Disa media amerikane raportuan se Rubio është në bisedime me ekipin e tranzicionit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, për pozitën e lartë.

Aktualisht, ai shërben si nënkryetar i Komitetit të Senatit për Inteligjencë dhe është anëtar i Komitetit për Marrëdhënieve me Jashtë.

Si përfaqësues nga Florida në Senat, 53-vjeçari u zgjodh për herë të parë në vitin 2010.

Përgjatë karrierës, rajonin e Ballkanit e kishte disa herë në fokus.

Në vitin 2022, ai iu bashkua një grupi senatorësh, i cili i dërgoi letër presidentit amerikan, Joe Biden, për ta inkurajuar që ta mbajë Ballkanin në vëmendjen e tij.

“Ballkani është një zonë e cenueshme e Evropës dhe, megjithëse Ukraina duhet ta ketë vëmendjen tonë të menjëhershme, ne nuk mund ta humbasim nga sytë këtë rajon, ku NATO-ja, prej kohësh, ka luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e paqes”, u tha në atë letër.

Aty po ashtu theksohej se Rusia, për kohë të gjatë, ka luajtur rol destabilizues në Ballkan, për t’i penguar vendet që aspirojnë NATO-n të anëtarësohen në këtë aleancë.

“Në veçanti, ne i bëjmë thirrje NATO-s që ta rrisë angazhimin e saj në rajon dhe t’i marrë parasysh masat emergjente, në rast se Rusia vë veto ndaj rinovimit të misionit të Forcave të Bashkimit Evropian në Bosnje dhe Hercegovinë, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, më vonë këtë vit”, u tha në atë letër.

Në vitin 2021, Rubio mirëpriti lajmin për vendosjen e marrëdhënieve diplomatike midis Izraelit dhe Kosovës.

“Ky është një hap i rëndësishëm për të dyja vendet, si dhe për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare”, shkroi Rubio në X.

 

Vitin e kaluar, presidentja e Kosovës, Vjosa Osamni, gjatë një vizite në Uashington, u prit nga një grup senatorësh dhe kongresistësh amerikanë, në mesin e të cilëve ishte edhe Rubio.

Në atë takim, Osmani vlerësoi “kontributin e jashtëzakonshëm që Kongresi ka dhënë në forcimin e pozitës ndërkombëtare” të Kosovës.

Në vitin 2018, me Rubion u takua edhe presidenti i atëhershëm i Kosovës, Hashim Thaçi.

“Folëm për mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh, për transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për mundësitë euroatlantike të Kosovës dhe për shfrytëzimin e momentumit për arritjen e një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e cila siguron anëtarësimin e Kosovës në NATO, BE dhe OKB”, tha atëkohë Thaçi.

Rubio njihet për qasje të ashpër në politikën e jashtme, sidomos ndaj Kinës dhe Iranit.

Ndërsa shprehu vazhdimisht mbështetje për Ukrainën, në një rast më herët tha se konflikti i vazhdueshëm midis Rusisë dhe Ukrainës duhet “të arrijë në një përfundim”.

Rubio ishte në mesin e disa senatorëve që votuan kundër ndihmës ushtarake të SHBA-së për Ukrainën, e cila kaloi në muajin prill.

“Ajo që ne po financojmë, është një ngërç që duhet të marrë fund”, tha Rubio për televizionin NBC News, pas zgjedhjes së Trumpit, javën e kaluar.

Në një intervistë për rrjetin televiziv, CNN, po atë javë, Rubio tha se “bota po ndryshon me shpejtësi”.

“Kundërshtarët po bashkohen – Koreja e Veriut, Irani, Kina, Rusia po koordinohen gjithnjë e më shumë. Do të na duhet të jemi shumë pragmatikë dhe të zgjuar, në atë sesi investojmë jashtë shtetit dhe çfarë bëjmë”, tha Rubio.

Ai, po ashtu, shprehu vazhdimisht mbështetje për luftën e Izraelit në Gazë.

Në fund të vitit të kaluar, kur u pyet nga një aktiviste e paqes se çfarë mendon për vrasjen e civilëve palestinezë, Rubio tha se Hamasi – grup i shpallur terrorist nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – “është 100 për qind fajtor”.

“Hamasi duhet të ndalojë të fshihet pas civilëve. Hamasi duhet të ndalojë ngritjen e instalimeve ushtarake poshtë spitaleve”,tha Rubio.

Marrëdhëniet mes Rubios dhe Trumpit nuk ishin gjithmonë në harmoni.

Të dy garuan për president në vitin 2016 dhe zhvilluan një rivalitet të ashpër.

Ata u përplasën për një sërë çështjesh – sidomos për imigracionin – dhe mosmarrëveshjet i çuan edhe në fyerje të ndryshme.

Trump iu referua shpesh senatorit si “Marco i vogël”, ndërsa Rubio tallej me, siç thoshte, “duart e vogla” të Trumpit.

Por, pas fitores së Trumpit në zgjedhjet presidenciale në vitin 2016, Rubio nisi t’i rregullonte gjërat me të, duke shërbyer si këshilltar joformal i politikës së jashtme dhe duke e ndihmuar atë në përgatitjen e debatit të tij të parë me Bidenin në vitin 2020.

Ai shprehu mbështetje për Trumpin edhe në zgjedhjet e atij vitit, edhe në të fundit, që u mbajtën më 5 nëntor.

Si djalë i imigrantëve kubanezë, Rubio është i martuar dhe ka katër fëmijë.

“Nëse konfirmohet nga Senati si kryediplomat amerikan, Rubio do të bëhej fytyra e politikës së jashtme të Trumpit, duke përshkuar globin me një aeroplan qeveritar, për të artikuluar doktrinën e presidentit të zgjedhur ‘Amerika e para’”, shkroi gazeta Washington Post./REL

 

Fraksion.com