Rusia e gatshme të dëgjojë propozimin e Donald Trumpit për t‘i dhënë fund luftës
Rusia është e gatshme të dëgjojë propozimin e Presidentit të zgjedhur Donald Trump, për t‘i dhënë fund luftës, tha një zyrtar, ndërsa një person humbi jetën dhe 13 të tjerë u plagosën nga sulmet ruse në Odesa dhe Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimin Europian zhvilloi bisedime në Kiev lidhur me mbështetjen për Ukrainën pas ndërrimit të administrates amerikane në janar.
Zv/Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Ryabkov tha se Moska dhe Uashingtoni po “shkëmbenin sinjale” lidhur me Ukrainën përmes atyre që i cilësoi si “kanale të mbyllura”.
Ai nuk dha detaje nëse komunikimi ishte me administratën aktuale amerikane apo me zotin Trump dhe ekipin e pritshëm të administrates së tij të re.
Rusia është e gatshme t’i dëgjojë propozimet e zotit Trump mbi Ukrainën nëse do të jepeshin “ide se si të ecet përpara në kuptimin e një marrëveshjeje, dhe jo se si të furnizohet regjimi i Kievit me çdo lloj ndihme”, tha zoti Ryabkov në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve, Interfax.
Sidoqoftë, po shtohen pikëpyetjet mbi atë se çfarë mund të presë Kievi nga administrate e re republikane. Zoti Trump, në mënyrë të vazhdueshme, ka shprehur kritika lidhur me ndihmën amerikane ndaj Ukrainës dhe ka bërë zotime të paqarta për t‘i dhënë fund luftës ndrësa ka vlerësuar pozitivisht Presidentin rus Vladimir Putin.
Gjatë vizitës në Kiev të shtunën, Shefi i Politikës së Jashtme të BE-së, Josep Borrell e siguroi Ukrainën për mbështetjen europiane.
“Mbështetja e Bashkimit Europian për Ukrainën ka qenë përparësia ime personale gjatë mandatit tim dhe do të vazhdojë të jetë në krye të axhendës së Bashkimit Europian”, shkroi ai në rrjetin X./VOA
Fraksion.com