AktualitetBota+Të fundit

Pentagoni do të apelojë vendimin që u mundëson të pandehurve të sulmeve të 11 shtatorit të shmangin dënimin me vdekje

Departamenti i Mbrojtjes do të apelojë vlefshmërinë e vendimit të një gjykatësi ushtarak lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë nga Khalid Sheikh Mohammed, personi që dyshohet se ishte organizatori i sulmeve të 11 shtatorit të vitit 2001 dhe dy të pandehurve të tjerë, tha një zyrtar i mbrojtjes të shtunën.

Vendimi i gjykatësit javën e kaluar anuloi urdhrin e Sekretarit të Mbrojtjes, Lloyd Austin, për të hedhur poshtë marrëveshjet dhe arriti në përfundimin se marrëveshjet për pranimin e fajësisë ishin të vlefshme.

Pentagoni do të kërkojë gjithashtu shtyrje të seancave dëgjimore ku të pandehurit deklarohen mbi akuzat, sipas zyrtarit, i cili nuk ishte i autorizuar të diskutonte publikisht çështjet ligjore dhe foli në kushte anonimiteti. Kryeprokurori Aaron Rugh u dërgoi një letër të premten familjeve të viktimave të sulmit të 11 shtatorit duke i informuar për vendimin.

Vendimi i gjykatësit, Matthew McCall, Kolonel i Forcave Ajrore, u lejoi tre të pandehurve të 11 shtatorit të pranonin fajësinë në sallën e gjyqit ushtarak që gjendet në Gjirin e Guantanamos në Kubë. Pranimi i fajësisë nga të pandehurit Khalid Sheikh Mohammed, Walid bin Atash dhe Mustafa al-Hawsawi, nënkupton shmangien e dënimit me vdekje.

Pranimi i fajit do të ishte një hap kyç drejt mbylljes së çështjes së gjatë penale dhe me probleme ligjore kundër të dyshuarve Mohammed, Walia al-d bin Attash and MustafHawsawi, lidhur me sulmet që shkaktuar rreth 3,000 të vrarë.

Prokurorët kishin negociuar marrëveshjet me avokatët mbrojtës nën kujdesin e qeverisë dhe zyrtari më i lartë i komisionit ushtarak në Guantanamo i kishte miratuar marrëveshjet. Megjithatë, marrëveshjet u kritikuan menjëherë nga ligjvënësit republikanë dhe të tjerë kur u bënë publike gjatë verës.

Disa ditë më pas, Sekretari Austin lëshoi një urdhër duke thënë se po i anulonte ato. Ai tha se marrëveshjet për pranimin e fajësisë në lidhje me një nga krimet më të rënda të kryera ndonjëherë në territorin amerikan, me qëllim shmangien e dënimit me vdekje, ishin një hap i rëndësishëm që duhet të vendoset vetëm nga shefi i mbrojtjes.

Gjykatësi më pas vendosi që Sekretarit Austin i mungonte autoriteti ligjor për të hedhur poshtë marrëveshjet për pranimin e fajësisë.

Marrëveshjet dhe përpjekja e Sekretarit të Mbrojtjes për t’i hedhur poshtë ato, kanë sjellë një nga episodet më të vështira në një rast që është përballur me vonesa dhe vështirësi ligjore.

Familjet e disa prej viktimave të sulmit të 11 shtatorit janë të bindur se ndjekjet penale do të vazhdojnë deri në gjykim dhe dënime të mundshme me vdekje. Megjithatë, ekspertët ligjorë thonë se nuk është e qartë se kjo mund të ndodhë ndonjëherë./VOA

 

Fraksion.com