Jo rikthim i idesë së shkëmbimit të territoreve Kosovë Serbi
Kandidatja për komisionere për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, paralajmëroi mundësinë që Bashkimi Evropian të ndryshojë qasje ndaj procesit të dialogut për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë. Strukturat e reja udhëheqëse të Komisionit Evropian të propozuara nga Presidentja Ursula Von Der Leyen, po kalojnë në procesin e dëgjimit në komisionet e Parlamentit Evropian para se emrat e propozuar të miratohen përfundimisht nga Parlamenti Evropian. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ia ka besuar ish-diplomates nga Sllovenia, Marta Kos, procesin e zgjerimit.
Kos u shpreh se “dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë do të jetë në duart e përfaqësueses së lartë të BE-së, Kaja Kallas, dhe ky proces duhet të lëvizet përpara. “Është arritur shumë formalisht deri më tani në dialog. Kemi marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe presim që Kosova dhe Serbia të vazhdojnë me implementim. Nëse gjërat nuk ecin, duhet të gjejmë një rrugë të re, tha Marta Kos”, duke cituar thënjen e Ajnshtajnit se “çmenduria është të vazhdosh të bësh të njëjtën gjë çdo ditë duke pritur rezultat tjetër”. Ajo tha se “dua të shoh rezultate të ndryshme, dhe se jam e sigurt se ka rrugë kur ka vullnet”.
Për Kos shkëmbimi i territoreve Kosovë-Serbi i papranueshëm
Kandidatja për komisionere për zgjerimin e BE-së, Marta Kos, u pyet nga eurodeputetët, nëse do e pranojë kthimin në agjendë të idesë së shkëmbimit të territoreve, në rast se një propozim vjen nga administrata e ardhshme e Washingtonit nën drejtimin e Donald Trump. Marta Kos, e hodhi poshtë këtë në mënyrë kategorike duke e cilësuar “propozim të papranueshëm”. “Ç’do të ndodhë pas janarit kur të nis mandatin presidenti i ri amerikan, mbetet të shohim. Sa i përket ideve për shkëmbim territoresh, jo. Komisioni Evropian dhe unë, nëse konfirmohem, nuk do t’i ndjekim këto tendenca”, ishte e prerë Marta Kos, duke shtuar se “evropianët duhet të shikojnë se çfarë mund të bëjnë vetë e jo të presin propozime nga të tjerët”.
Në kuadër të procesit të deritashëm të dialogut Kosovë-Serbi, Bashkimi Evropian ka kërkuar vazhdimisht nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti , që ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për interpretim një propozim të BE-së për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Rrjedhimisht Kurti ka refuzuar ta themelojë Asociacionin mbi propozimin Evropian. “Ne e kemi një Asociacion të komunave, nëse dikush e dëshiron një tjetër, kjo duhet të bëhet nga komuna. Nuk formon kryeministri Asociacion e as nuk i themelon”, pati thënë Kurti.
BE këmbëngul për Asociacionin
Por zëdhënësi i BE-së Peter Stano, deklaroi për mediet lokale në Prishtinë se “Bashkimi Evropian konsideron se Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjegjësive që ka marrë në procesin e dialogut dhe ato përgjegjësi t’ia delegojë komunave me shumicë serbe. Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti personalisht nga lehtësuesi i BE-së së bashku me Këshilltarët e Sigurisë Kombëtare të Francës, Gjermanisë dhe Italisë si dhe përfaqësuesi special të SHBA-së.
“Qeveria nuk mund të heqë dorë nga përgjegjësitë e saj në kuadër të Dialogut apo t’ua delegojë ato komunave me shumicë serbe të Kosovës. Në tetor 2023, në një përpjekje për të çuar përpara procesin e normalizimit, BE-ja e mbështetur nga shtetet anëtare dhe partnerët e saj si SHBA-ja, prezantoi zyrtarisht një projekt-statut evropian për krijimin e Asociacionit. Ky draft-statut evropian bazohet në modelet dhe praktikat e mira evropiane, si dhe në kornizën ligjore të Kosovës. Drafti iu dorëzua kryeministrit Kurti”, tha Stano, duke rikujtuar se përveç dorëzimit të draft-statutit evropian në Qeverinë e Kosovës nga emisarët evropianë dhe amerikanë, “drafti i ngjashëm ishte pranuar nga kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq edhe në takimin e 26 tetorit 2023 në Bruksel.
Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të ndërmarrë hapa konkretë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, ndërsa për Serbinë përmbushjen e obligimeve të saj që rrjedhin nga marrëveshja për normalizim të marrëdhënieve me Kosovën./DW
Fraksion.com