AktualitetDialog

Tabaku: Shqiptarët janë sot më keq se vite më parë

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku ngriti sot shqetësimin për keqmenaxhim të buxhetit të shtetit.

Duke folur gjatë debatit në Kuvend për buxhetin faktik të vitit 2023, Tabaku tha se raportet e Kontrollit të Lartë të Shtetit tregojnë se 70% e buxhetit është zbatuar në muajin e fundit të vitit.

Në fjalën e saj, Tabaku tha se shqiptarët janë sot më keq se vite më parë dhe se paga reale u ul në 2023-shin. Shqipëria theksoi ajo, pati krizë jo prej shkaktarëve të jashtëm, por prej modelit të saj ekonomik.

“Shqiptarët e mbajnë mend vitin 2023 si viti kur u rritën më shumë çmimet. Çmimet e shportës u rritën me 29.5%”, deklaroi Tabaku.

Tabaku foli dhe për gjoba të tatimeve dhe bashkisë së Tiranës ndaj biznesit.

“Është çmendur qeveria dhe bashkia e Tiranës duke vënë gjoba. Nuk e mbajnë shtetin normalisht me një funksion normal të taksave, janë duke operuar vetëm me gjoba. Kjo për t’i falur në vit elektoral. Kjo tendencë duhet të marrë fund menjëherë! Ky model ekonomik bazohet te pastrimi i parave dhe ndërtimi, kështu ka qenë dhe në vitin 2023. Është kthyer buxheti, ekonomia në funksion të elitave”, deklaroi ajo.

Tabaku duke folur për pensionet tha se Shqipëria ka mesataren më të ulët të pensioneve në rajon.

Tabaku po ashtu ngriti zërin për ulje të mbështetjes financiare sa i takon sektorit bujqësor. Sipas saj, mungesa e kësaj mbështetjeje që ka nisur që prej disa vitesh po jep efektet tani.

Fraksion.com