Rusia dyshohet se ka dërguar pajisje ndezëse në aeroplanët e nisur për në SHBA dhe Kanada, raporton Wall Street Journal
Pajisjet që u ndezën në Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar në korrik, ishin pjesë e një operacioni të fshehtë rus që kishte për qëllim ndezjen e zjarreve në bordin e fluturimeve të ngarkesave dhe pasagjerëve që shkonin për në SHBA dhe Kanada, raportoi të hënën Wall Street Journal (WSJ), duke cituar zyrtarë perëndimorë të sigurisë.
Në korrik, shpërthimet e pajisjeve në qendrat logjistike të DHL në Leipzig, Gjermani dhe Birmingham, MB, nisën një garë për të gjetur të dyshuarit, raportoi WSJ.
Kur u pyet për incidentet, një zëdhënës i DHL Express tha për CNN se kompania është “në dijeni të dy incidenteve të fundit që përfshijnë dërgesat në rrjetin tonë”, duke shtuar se ata “po bashkëpunojnë me autoritetet përkatëse”.
Pajisjet, të cilat thuhet se ishin masazhues elektrikë të implantuar me një substancë të ndezshme me bazë magnezi, u dërguan në Mbretërinë e Bashkuar nga Lituania dhe “duket se kanë qenë një provë për të kuptuar se si të merrnin pajisje të tilla ndezëse në bordin e avionëve të nisur për në Amerikën e Veriut”. raportoi WSJ.
Duke folur në një konferencë shtypi të martën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov e quajti raportimin e WSJ-së “mashtrime të pakuptueshme që nuk mbështeten kurrë nga ndonjë informacion i besueshëm”.
I pyetur për komplotin e supozuar rus, një zyrtar i qeverisë amerikane i tha CNN se “për momentin, nuk ka asnjë kërcënim aktual aktiv që synon fluturimet me destinacion SHBA”.
Autoritetet polake në tetor thanë se katër persona ishin arrestuar nën dyshimin se ishin të përfshirë në sabotim ndërkombëtar dhe një grup sabotazhi, sipas një deklarate nga zyra e prokurorit kombëtar. Një kërkim ndërkombëtar është nisur edhe për dy të dyshuar të tjerë.
Deklarata polake, e cila nuk përmend emrin e grupit të sabotimit, thotë se “pako që përmbanin eksplozivë të kamufluar dhe materiale të rrezikshme” u dërguan përmes korrierëve në Mbretërinë e Bashkuar dhe vendet e Bashkimit Evropian dhe “u ndezën ose shpërthyen spontanisht gjatë transportit tokësor dhe ajror”.
Ajo shton se qëllimi i grupit “ishte (gjithashtu) të testonte kanalin e transferimit për këtë lloj dërgesash të cilat përfundimisht do të dërgoheshin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada”.
Një zëdhënës i policisë kundër terrorizmit në Mbretërinë e Bashkuar konfirmoi për CNN se ata “po hetojnë një incident në një ambient komercial në Midpoint Way” në Birmingham: “Të hënën, 22 korrik, një paketë në vendndodhje u dogj. Ajo u trajtua nga stafi dhe brigada lokale e zjarrfikësve në atë kohë dhe nuk kishte raportime për ndonjë të lënduar apo dëme të konsiderueshme të shkaktuara”, tha zëdhënësi.
Zëdhënësi shtoi se hetimi është në vazhdim e sipër dhe se ata “po ndërlidhen me partnerë të tjerë evropianë të zbatimit të ligjit për të identifikuar nëse kjo mund ose nuk mund të lidhet me ndonjë incident tjetër të llojit të ngjashëm në të gjithë Evropën”.
CNN raportoi në korrik se Rusia ka qenë e përfshirë në një operacion “të guximshëm” sabotazhi në të gjithë vendet anëtare të NATO-s për më shumë se gjashtë muaj, duke synuar linjat e furnizimit me armë për Ukrainën dhe vendimmarrësit pas saj, sipas një zyrtari të lartë të NATO-s.
Zyrtarë të shumtë të sigurisë në të gjithë Evropën përshkruajnë një kërcënim që po jep metastaza pasi agjentët rusë, gjithnjë e më shumë nën vëzhgimin e shërbimeve të sigurisë dhe të frustruar në operacionet e tyre, punësojnë amatorë vendas për të ndërmarrë krime me rrezik të lartë dhe shpesh të mohueshme, në emër të tyre.
Fraksion.com