Rama: Arkivi shqiptar ofron çdo dokument online dhe falas
Platforma “Salla e studimit online” e Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave (DPA) u ofron mundësinë studiuesve të hulumtojnë dokumentet arkivore falas nga shtëpia në çdo orë, në Shqipëri dhe jashtë vendit, me të njëjtën procedurë dhe formë, si të ishin në sallën e studimit të DPA-së.
Ky novacion bën që arkivi shqiptar të jetë i vetmi në Europë që ofron çdo dokument online dhe falas.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një video informuese mbi platformën e Drejtorisë së Përgjithshme e Arkivave, e cila sjell “Sallën e Studimit” në shtëpi.
“Në platformën ‘Salla e Studimit online’, mund të hulumtosh dokumentet arkivore falas në çdo orë, në Shqipëri dhe jashtë vendit, me të njëjtën procedurë dhe formë, sikur të ishe i pranishëm në Sallën e Studimit në Tiranë”, bëri të ditur Rama.
Në vazhdën e procesit të suksesshëm të digjitalizimit të dokumenteve, DPA-ja u vjen në ndihmë studiuesve, duke e bërë lëndën arkivore lehtësisht të aksesueshme.
Për dy muaj me radhë, bazuar në këtë platformë online të studimit, dosjet e porositura të dokumenteve do të mund të konsultohen falas.
Ndërmarrja e kësaj nisme u adresohet veçanërisht studentëve, të cilët krahas tarifave favorizuese për përftimin e burimeve bibliografike gjatë kryerjes së punimeve të tyre akademike, inkurajohen më tej për të njohur historinë dhe trashëgiminë dokumentare kombëtare.
Me rreth 19 milionë dokumente të digjitalizuara në 5-vjeçarin 2019-2024, DPA-ja përfaqëson arkivin qendror më të digjitalizuar në Europë.
Korpusi dokumentar i DPA-së është i aksesueshëm kudo dhe kurdoherë, edhe falë çeljes së këndeve arkivore në dhjetëra qytete, brenda dhe jashtë Shqipërisë, ku materialet arkivore shërbehen njësoj si në sallën e studimit në Tiranë.
Fraksion.com