AktualitetPolitikëTë fundit

Këshilli i të Drejtave të Njeriut në Asamblenë e Përgjithshme të OKB vlerëson progresin e Shqipërisë në zbatimin e rekomandimeve

Delegacioni i Kuvendit të Shqipërisë mori pjesë në sesionin e 47-të të Këshillit të të Drejtave të Njeriut në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të mbajtur në Pallatin e Kombeve në Gjenevë të Zvicrës, për raportimin e ciklit të katërt periodik të vlerësimit të gjendjes së të drejtave të njeriut në Shqipëri për periudhën 5-vjeçare 2019-2024. Përfaqësues nga Kuvendi i Shqipërisë ishin Evis Fico, shefe e Kabinetit të Kryetares së Kuvendit, Mimoza Arbi, drejtore e Shërbimit Juridik dhe Sonila Kadare, këshilltare ligjore.

Gjatë fjalës së saj, Fico informoi Këshillin për procesin mbikëqyrës të Kuvendit dhe mekanizmat e ushtrimit sistematik të tyre ndaj institucioneve të pavarura, risitë e amendimeve të ligjit 30/2023 në mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë dhe lirinë e shprehjes, monitorimin nga AMA të përmbajtjeve online në platforma dhe gjuhën e urrejtjes në media, masat për pavarësinë e raportimit dhe mbrojtjes së gazetarëve, Punën e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për të koordinuar dhe mbikëqyrur të gjitha veprimet institucionale për të luftuar dezinformimin dhe format e tjera të ndërhyrjes së huaj në proceset demokratike të vendit”, rezolutat e Avokatit të Popullit dhe KMD dhe zbatimin e rekomandimeve të tyre përmes mekanizmit ndërinstitucional, institucionet e drejtësisë dhe lufta kundër korrupsionit, mbështetja buxhetore nga Kuvendi i institucioneve të pavarura që nxisin dhe mbrojnë të drejtat e njeriut, etj.

Gjatë raportimit, 81 shtete anëtare të Kombeve të Bashkuara vlerësuan progresin e bërë nga Shqipëria në zbatimin e rekomandimeve të adresuara në ciklin e tretë raportues si dhe dhanë rekomandimet e tyre në vijim me fokus çështjet për zbatimin e kuadrit të plotë ligjor dhe masave që garantonjnë të drejtat e shtetasve, si të personave më aftësi të kufizuara, grupimi LGBT, dhe komunitetit rom dhe egjiptian, liria e shprehjes dhe mbrojtja e gazetarëve, eliminimi i të gjitha formave të diskriminimit dhe ndëshkimi për gjuhën e urrjetjes, çështjet e dhunës ndaj grave dhe të drejtat e fëmijëve, ratifikimi i Protokollit Opsional të Konventës për Personat me Aftësi të Kufizuar, vijimi i luftës kundër korrupsionit, hetimi i krimeve të trafikimit të qenieve njerëzore, çështjet e strehimit, arsimit, mbrojtjes shëndetsore të grupeve të margjinalizuara, pashtetësia, të drejtat e migracionit, etj.

Disa shtete si SHBA, Franca, Luksemburgu, Holanda, Maqedonia e Veriut, Lichteshtein, Iran, Azerbajxhan, përshëndetën dhe nxitën në mënyrë specifike politikat dhe masat e deritanishme antikorrupsion si dhe ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, ndërsa shtete si Maroku, Nepali, Luksemburgu, Kili, etj, kërkuan mbështetje të vijueshme të punës së Avokatit të Popullit dhe plotësimin nga Kuvendi të vakancave për zgjedhjen e Avokatit të ri të Popullit dhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Në përmbyllje të sesionit, Grupi i Këshillit do të nxjerrë rekomandimet zyrtare përkatëse për Shqipërinë ndërsa Parlamenti i Shqipërisë mbetet i angazhuar në zbatimin e tyre si një organ me një rol thelbësor për përmbushjen e tyre përmes mekanizmave ligjorë e parlamentarë në nivel të përmirësimit të kuadrit ligjor dhe në aspektet e mbështetjes buxhetore të organeve të mbrojtësve të të drejtave të njeriut dhe mekanizmat mbikëqyrës ndaj politikave të qeverisë për masat e zbatuara për respektimin e të drejtave të njeriut.

 

Fraksion.com