AktualitetPolitikëTë fundit

Mbetjet toksike, Balla: Institucionet po zbatojnë urdhrat e prokurorisë, gjithçka do të jetë transparente

Ministri i Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Taulant Balla, e cilësoi të papranueshme dhe në dëm të interesit kombëtar, deklaratën e deputetes së opozitës Flutra Açka, që hodhi dyshime se kontejnerët me mbetje mund të hidhen në det.

Duke marrë fjalën në seancën e Kuvendit, Balla i kërkoi Açkës të kuptojë, se çfarë përgjegjësie penale mban mbi supe, kur thotë një gjë që është përhapje paniku, dhe më keq, një dëm që i bën vendit.

“Mendo që një media në Holandë t’ju citojë Juve duke thënë se deputetja ngriti shqetësimin që kontejnerët e mbushur mund të hidhen në det. Zonjë, për t’ju kthyer përgjigje, nuk ka ndodhur kurrë nga kjo qeveri e drejtuar nga Edi Rama, që të mos zbatohen urdhrat e Prokurorisë”, tha Balla.

Ai deklaroi se “koha kur nuk zbatoheshin urdhrat e Prokurorisë ka përfunduar, me atë që ju ka sjellë juve këtu dhe nuk ka për t’u kthyer më kurrë”.

Balla sqaroi edhe në lidhje me aludimet që u hodhën për urdhrin e prokurorisë.

“Ka një procedurë që urdhrat e prokurorisë për institucionet e linjës kanë nisur detyrën që të identifikojnë vendin ku do të vendosin për mbetjet dhe aty po punohet që të mos ketë asnjë problematike mjedisore, rrjedhje apo ndotje, dhe do të jeni të ftuar deputetë të opozitës ta shihni këtë”, u shpreh Balla.

Më herët deputetja e Partisë Demokratike, pjesë e Demokratëve Euroatlantikë, Flutura Açka, u shpreh se parlamenti është kthyer tashmë në qesharak, ndërsa bëri thirrje që të bëhet gjithçka që të kthehet në normalitet.

Açka ngriti shqetësimin edhe në lidhje me kontejnerët në Portin e Durrësit, të cilët dyshohet se janë me mbetje toksike.

Ajo shtoi se mbetjet mund të asgjësohen duke u hedhur në det, duke ndotur kështu detin.

“Ju duhet ti kërkoni një ndjesë të thellë shqiptarëve, sepse ju i keni gënjyer shqiptarët duke thënë se keni bërë marrëveshje me një pjesë të opozitës duke shkelur ligjin e këtij shteti. Ju duhet të shpjegoheni publikisht për këtë marrëveshje që ka sjellë zhvillim qesharak të këtij parlamenti. Shpjegohuni, pse gënjyet se marrëveshjen me një pjesë të opozitës e bëtë në janar, kur në fund e bëtë në shtator. Kam frikë se mbetjet në Durrës do të asgjësohen duke u hedhur në det dhe shumë shpejt shqiptarë do të kenë një det të ndotur”, tha ajo.

 

Fraksion.com