“Ishe ministër i Brendshëm” Balla përplaset me Shehajn, pë mbetjet toksike: Erdhe si zbulim i Lulit, të duket vetja si…
Deputeti i Partisë Demokratike Agron Shehaj kërkoi që përfaqësues të qeverisë t’i përgjigjen kërkesës së Prokurorisë Durrës për sekuestrimin e 800 tonëve mbetje toksike që gjenden jashtë portit të Durrësit.
Duke marrë fjalën në seancën plenare sot në Kuvend, Shehaj tha se, “jashtë portit të Durrësit ndodhen një ngarkesë me mbi 100 kontejnerë që prokuroria e Durrësit ju ka kërkuar ta sekuestroni”.
Sipas tij, ky është urdhri i ekzekutimit, pasi Prokuroria e Durrësit dyshon se në ato kontejnerë ndodhen 800 tonë mbetje toksike që rrezikojnë shëndetin e qytetarëve dhe që duhet të ishte sekuestruar.
Ai tha se, Ministri i Brendshëm duhet të japë llogari pse nuk zbaton urdhrin e Prokurorisë.
“Të gjitha institucionet e linjës të përfshira në këtë çështje duhet të reagojnë. Mirë që nuk bëni transparencë, respektoni urdhrin e Prokurorisë. Por është e qartë pse nuk e bëni, sepse duhet të fshihni trafikun ndërkombëtar të mbetjeve toksike që keni bërë nga porti i Durrësit. Mos shkelni ligjin!” – u shpreh Shehaj.
Pjesë nga debati:
Kjo gjë nuk ju takon më ju, tani i takon prokurorisë. Ju lejuat që 102 kontenierë me mbetje toksike të trafikoheshin nga porti i Durrësit. Nuk duam të dimë më asgjë prej jush, ju nuk na jepni dot asnjë informacion. Deh nëse do na jepni do gënjeni se do mbroni veten tuaj, ne sot presim të dimë të vërtetën nga prokuroria. Presim që ju mos të pengoni prokurorinë. Ju lejuat trafikimin e mbetjeve, lejuat që të ngrihej një skemë midis Shqipërisë, Kroacisë dhe Tajlandës.
Tani ju thoni ka nevoj për kohë! Arsye për të penguar hetimin mund të gjeni sa të doni dhe për këtë nuk e kemi fare merak. Këtë aftësi e keni. Dhe lërëni këto broçkullat. Ka një urdhër që ka 5 ditë që ka dalë nga prokuroria dhe kërkon sekuestrimin dhe vendosjen në kontroll të mbetjeve toksike që janë jashtë portit të Durrësit dhe duhet të veproni sa më shpejt, sepse kur keni patur nevoj ju i keni bërë brenda pak orësh. I harraut inceneratorët sesi firmoseshin 11 vendime a 15 brenda ditës menjëherë? Kurse kur bëhet fjalë për të lejuar prokurorinë që të zbardhë këtë aferë ndërkombëtare, trafikim mbetjesh toksike nëpër botë, keni nevoj për kohë.
Zbatoni urdhërin e prokurorisë. Pikë. Lërini broçkullat.
Taulant Balla: Erdhe si zbulim i Lulit këtu, mbërrite si një prej zbulimeve më të shkëlqyera të tij. Nuk po hyj në të tjera… The se prokuroria dyshon se janë mbetje toksike. Zotrote deklarove se janë mbetje toksike. Unë kam për detyrë si ministër i kësaj qeverie të besoj tek prokuroria dhe t’i shpreh mbështetjen dhe të mos ndikohej nga deklarata çapaçulash, kohë kjo që ka mbaruar. Çfarë dreqin ke që vjen këtu e flet kështu? Tu dhanë arsyet se përse nuk është zbatuar ende urdhri i prokurorisë. Të duket vetja si personazh TikToku se është një punë që e bën mirë. Akuzat i ngre Prokuroria jo ti.
Fraksion.com