AktualitetPolitikëTë fundit

Deputetët e opozitës nxjerrin karriget nga salla e Kuvendit, përplasen me gardistët; Dogjani: Po shkelni ligjin

Deputetët e Partisë Demokratike kanë vijuar mos bindjen civile.

E ndërsa seanca e sotme plenare në Kuvend ka nisur me betimin e dy deputetëve të rinj Mano dhe Meka, deputetët e përjashtuar të opozitës jashtë Kuvendit janë përplasur me Gardën, duke tentuar të hyjnë në seancën plenare.

Deputeti Flamur Noka është përplasur fizikisht me disa prej gardistëve jashtë Kuvendit, ndërsa deputeti Asllan Dogjani ka bërë thirrje që të hapet rruga për futjen e deputetëve të papërjashtuar si Vokshi dhe Bylykbashi.

“Po ndaloni deputetët në mënyrë të kundërligjshme të hyjnë në Kuvend. E keni kthyer si në Korenë e Veriut, aty në Shkodër vriten katër veta në ditë. E keni kthyer policinë kundër opozitës. Ka vdekur një herë Enver Hoxha, po përdoreni si vegla duke shtypur deputetët. Njerëzit po vdesin nëpër spitale, sistemi ka degraduar, nëpër shkolla të rinjtë po theren me thika. Rama ka detyruar një milionë e gjysmë shqiptarë të largohen nga vendi. Të çohemi të gjithë bashkë”, tha Dogjani.

Gjatë momenteve të përplasjes, të pranishëm kanë qenë deputetët Albana Vokshi, Luan Baçi, Flamur Noka, Saimir Korreshi, Dashnor Sula, Bledjon Nallbati dhe Asllan Dogjani, të cilët kanë tentuar të hyjnë në Kuvend, por nuk janë lejuar nga punonjësit e Gardës. Po ashtu protestës jashtë sallës së Kuvendit ju bashkuan edhe deputetët e PD, që ishin brenda sallës.

Deputetët e papërjashtuar të opozitës, Vokshi, Bylykbashi, Doda janë futur brenda në sallën e Kuvendit dhe kanë nxjerrë prej aty katër karrige. Ato i kanë pozicionuar para hyrjes së Kuvendit, aty ku janë ulur këmbëkryq deputetët e përjashtuar që nuk lejohen të futen brenda në sallë nga Garda e Republikës.

Deputetët e opozitës i kanë kthyer përmbys këto katër karrige dhe u kanë vendosur disa pankarta. “Shqipëria parti-shtet”, “Ne kërkojmë një qeveri, jo një kartel droge”, “Zgjedhje të lira dhe të ndershme dhe persekutimi i opozitës”, këto janë disa nga mesazhet e pankartave që kanë vendosur deputetët demokratë në karriget e nxjerra jashtë Kuvendit.

 

Fraksion.com