AktualitetBota+Të fundit

Anijet e vjetra ruse rrezikojnë mjedisin ndërsa Moska shmang sanksionet e perëndimit

Ekziston shqetësimi se flota e anijeve të vjetra cisternë që Rusia përdor për transportimin e naftës përbën një kërcënim të madh mjedisor. Moska e transporton naftën e saj duke përdorur këto anije për të anashkaluar sanksionet e perëndimit që kanë vendosur një çmim tavan për naftën ruse pas agresionit në Ukrainë. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgewell, një raport i ri nga Shkolla Ekonomike e Kievit paralajmëron se një derdhje nafte nga këto anije është “vetëm çështje kohe”. Ajo gjithashtu i kërkon komunitetit ndërkombëtar të bëjë më shumë për të ndaluar përdorimin e këtyre anijeve të vjetra.

Muajin e kaluar, në Detin Baltik, afër Gjermanisë, aktivistët nga organizata mjedisore ‘Greenpeace’ vëzhguan anijën “Pulëbardha”, një anije e vjetër cisternë që transportonte naftë ruse, me destinacion Indinë.

“Ajo që është me të vërtetë e rrezikshme është se kjo anije tcisternë e prodhuar para 21 vjetësh, është e vjetër dhe në gjendje të keqe. Shpesh ato nuk kanë sigurimin e duhur dhe nëse ndodh diçka, sigurimi nuk e mbulon dëmin”, thotë Thilo Maack, nga organizata “GreenPeace”.

Grupi i 7 vendeve më të industrializuara të botës, së bashku me Australinë dhe Bashkimin Evropian, vendosën një çmim tavan për naftën ruse në dhjetor të vitit 2022. Vendimi, që lejon shitjen e naftës ruse me 60 dollarë për fuçi, u mor në përgjigje të luftës së Moskës kundër Ukrainës.

Çdo anije që përdor kompanitë e sigurimit të vendeve perëndimore, duhet të respektojë këtë kufizim të çmimit.

Rusia është përgjigjur duke ndërtuar një të ashtuquajtur “flotë në hije” të anijeve të vjetra, që nuk kanë lidhje me Perëndimin. Kjo i ka mundësuar Moskës të shesë naftë në mbarë botën, pjesën më të madhe të saj në Kinë dhe Indi. Sipas vlerësimeve, kjo flotë ka rreth 600 anije cisternë.

Për këtë arsye vendet perëndimore kanë vendosur sanksione ndaj kompanive të transportit, ose ndaj anijeve individuale. Megjithatë, një raport i Shkollës Ekonomike të Kievit, i publikuar këtë muaj, thotë se flota në hije po rritet dhe tani transporton deri në 70% të naftës së Rusisë mes rrugëve ujore.

“Rusia gjithashtu i ka ri-regjistruar këto anije në juridiksione ku standardet teknike dhe kontrollet dyshohet se janë të ulëta. Sigurimi që Rusia ka gjetur dyshohet të jetë i pamjaftueshëm, që do të thotë se nuk do të ishte në gjendje të paguante në rast incidenti. Ka pasur disa raste ku rreziku i derdhjes së naftës ka qënë shumë i madh. Nuk ka ndodhur ende një derdhje e madhe nafte, por në të vërtetë është vetëm çështje kohe derisa kjo të ndodhë”, thotë Benjamin Hilgenstock nga Shkolla Ekonomike e Kievit.

Shtetet bregdetare tanimë e kanë ngritur këtë shqetësim.

“Sfida për shtetet bregdetare, si Danimarka, apo Suedia, është se ato, sipas ligjeve ndërkombëtare, kanë shumë pak të drejta të ndërhyjnë ndaj anijeve që lundrojnë përmes ujërave të tyre”, thotë zoti Hilgenstock.

Ai thotë se një zgjidhje për këtë pengesë do të ishte shfrytëzimi i rregullave mbi sigurimet për të penguar këtë flotë ruse në hije.

“Para së gjithash duhet krijuar transparencë në lidhje me sigurimet për derdhje nafte sepse tani dimë shumë pak për këtë. Nëse marrim vesh se nuk janë të siguruara si duhet ato duhet të vihen nën sanksione dhe duhet ndaluar shfrytëzimi i tyre për operacione komerciale”,thotë zoti Hilgenstock nga Shkolla Ekonomike e Kievit.

Britania së fundmi vendosi sanksione ndaj 18 anijeve cisternë të tjera duke e çuar numrin e anijeve që ka sanksionuar në 43.

Moska reagoi duke thënë se vendimi tregon se, siç u shpreh Kremlini, “Londra nuk e do statusin e Rusisë si një furnizues i qëndrueshëm energjie”./VOA

 

Frakdion.com