Sveçla thotë se bisedoi me Sarrazinin për kontrollin e mallrave serbe në Merdare
Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla, tha të mërkurën se bisedoi me të dërguarin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, për masën e kontrolleve manuale të sigurisë për mallrat nga Serbia që hyjnë në Kosovë.
Më 7 tetor, Qeveria e Kosovës e zëvendësoi vendimin për ndalimin e importit të mallrave me origjinë nga Serbia me një të ri që lejon importin, por vetëm përmes kufirit në Merdare dhe me kontroll të detajuar të sigurisë.
Vendimi i saj erdhi pas një trysnie të vazhdueshme nga Gjermania.
“Zyrtarët tanë shtetërorë po e zbatojnë këtë vendim me përkushtim, me qëllim të garantimit të sigurisë së vendit tonë deri në funksionalizimin e sistemeve të skanerëve ‘X’, që do të lehtësojnë edhe punën e tyre edhe pritjet në pika kufitare”, tha Sveçla në Facebook.
Në vendkalimet e tjera u paralajmërua se do të lejohet importi vetëm kur të sigurohen skanerët, të cilët do t’i ndihmojnë Doganës së Kosovës në kontrollin e mallrave, pa ndërhyrje fizike.
Ambasada gjermane tha se blerja e këtyre skanerëve është në proces, “në përputhje me të gjitha rregullat dhe rregulloret e vlefshme për prokurimin publik”.
Sveçla tha se e falënderoi Sarrazin për “angazhimin e tij të vazhdueshëm në avancimin e bashkëpunimit rajonal”.
“Diskutuam për ecurinë e takimit të fundit të Procesit të Berlinit dhe rikonfirmova përkushtimin tonë si palë aktive për angazhim të mëtejmë në kuadër të këtij procesi”, tha ai.
Përndryshe, Kosova thekson se vendimi për ndalimin e importit të mallrave nga Serbia, në mes të korrikut të vitit 2023, u mor për “arsye sigurie”, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës nga policia serbe./REL
Fraksion.com