Rama: Në prokurorinë e Tiranës ka dosje ulëritëse
Kryeministri Edi Rama vlerësoi sot ecurinë e pozitive të reformës në drejtësi, që lidhet me punën e Prokurorisë Speciale, teksa tha se, kjo reformë duhet të shtrihet edhe në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.
Në takimin me pensionistë në Durrës, Rama theksoi se, “e vërteta është se sot, çfarë shqiptarët shohin dhe përshëndesin si rezultate të reformës në drejtësi lidhet me punën e Prokurorisë Speciale. Ndërsa në prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, duke filluar nga Prokuroria e Tiranës, kemi probleme të mëdha që flasin, për sa shumë nevojë ka që kjo reformë të shtrihet në praktikën e përditshme të këtyre prokurorive”.
“Keni dëgjuar ju sot, që ndonjë sipërmarrës të merret i pandehur për evazion fiskal, domethënë për shmangie taksash me miliona? Nuk keni dëgjuar. Po mendoni se administrata nuk i ka identifikuar disa prej tyre? Mendoni se nuk ia ka referuar prokurorisë? Në prokurorinë e Tiranës prej vitesh janë mbuluar me trupat e prokurorëve dosje ulëritëse të evazionit fiskal. Evazion që e kanë prokurorinë në xhep, se unë nuk gjej shpjegim tjetër”, u shpreh kryeministri.
Rama tha se, ky është i gjithë zinxhiri që duhet mbyllur.
Sipas tij, ligji e ruan rendin ekonomik etj., po nëse ligji nuk vepron për këtë kategori, atëherë kemi një problem të madh, sepse hallka e fundit e zinxhirit na mungon, prandaj është jo e lehtë.
“Ne do të vazhdojmë të bëjmë punën tonë dhe kemi një plan që na e mundëson një zhvillim tjetër që është digjitalizimi i transaksioneve. Sot praktikisht të gjitha bizneset i kemi në sistem të digjitalizuar, por edhe aty kanë filluar të bëjnë hile. Por tani kemi një tjetër mekanizëm që po e vëmë në funksion me inteligjencën artificiale, që do të jetë e pamundur të na shmangen nga detyrimet”, deklaroi kryeministri.
Fraksion.com