Hakerët kinezë vënë në objektiv familjen Trump dhe këshilltarët e Presidentit Biden
Anëtarët e familjes së ish Presidentit Donald Trump dhe zyrtarë të administratës së Presidentit Biden janë në mesin e atyre që janë vënë në shënjestrën e hakerëve të lidhur me Kinën. Sipas njoftimeve të gazetës New York Times, e cila citoi individë që kanë njohuri për ngjarjen, hakerët mundën të depërtonin në sistemet e kompanive të telekomunikacionit.
Në shkrimin e gazetës thuhet se zyrtarë të Departamentit të Shtetit, anëtarë të familjes Trump, përfshirë Eric Trump-in dhe Jared Kushner, si dhe demokratë të njohur, mes tyre udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer, ishin në mesin e atyre që ishin vënë në shënjestër nga spiunët kibernetikë.
Shqetësimet janë rritur për grupin e hakerëve pas raportimeve të medias muajin e kaluar.
Më 6 tetor, gazeta “Wall Street Journal” njoftoi se grupi me nofkën “Salt Typhoon”, kishte depërtuar në rrjetet e kompanive të telekomunikacionit dhe kishte marrë të dhëna nga sistemet që përdor qeveria federale për përgjimet e autorizuara nga gjykata.
Departamenti i Shtetit si dhe përfaqësues të anëtarëve të familjes Trump nuk iu përgjigjën menjëherë kërkesave të agjencisë Reuters për të komentuar. Po ashtu nuk kanë komentuar as Shtëpia e Bardhë, Agjencia e Sigurisë Kombëtarë apo agjencia federale që mbikëqyr sigurinë kibernetike. Ambasada kineze në Uashington nuk iu përgjigj një kërkese për koment, megjithëse Pekini mohon vazhdimisht të jetë pas fushatave të spiunazhit kibernetik./VOA
Fraksion.com