Tubimi në kryeqytet/ Vokshi dhe Noka përplasen me Policinë, protestuesit tentojnë të thyejnë kordonin
Deputetja Albana Vokshi dhe deputeti Flamur Noka janë përplasur me policët, teksa protesta në rrethrrotullimin e ish-sheshit “Shqiponja” është tensionuar.
Noka: Fytyra e policisë sot nuk është fytyra e pushtetit por e narkopushtetit, Surreli do të jetë destinacioni, nuk do të tërhiqemi, struken drejtorët e policisë dhe nxjerrin rilindas, kur t’i teket opozitës(do të mbyllet protesta).
Opozita dhe mbështetësit e saj kanë paralizuar prej rreth 2 orësh akset kryesore në vend.
Policia po i orienton mjetet në rrugët dytësore, ndërsa janë pozicionuar qindra forca në zonat ku po zhvillohet tubimi.
Situata e tensionuar deri më tani paraqitet edhe në Rrogozhinë, ndërsa janë djegur goma në Milot dhe Shkozet.
Akset kryesore të vendit që janë paralizuar nga protesta e opozitës janë: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.
Shumica e deputetëve të opozitës janë vendosur në Tiranë, kurse pjesa tjetër në zonat ku po zhvillohet protesta.
Dhjetëra forca policore dhe zjarrfikëse ndodhen në terren për të shmangur çdolloj përshkallëzimi të tubimit./tch
Fraksion.com