Opozita bllokon rrugët, paralizohet qarkullimi në 6 kryqëzimet kryesore të vendit. Çfarë po ndodh nga veriu në jug
Prej gati një ore vijon protesta e opozitës në rreth rrotullimet kryesore të vendit.
Akset kryesore të vendit që janë paralizuar nga protesta e opozitës janë: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.
Shumica e deputetëve të opozitës janë vendosur në Tiranë, kurse pjesa tjetër në zonat ku po zhvillohet protesta.
Dhjetëra forca policore dhe zjarrfikëse ndodhen në terren për të shmangur çdolloj përshkallëzimi të tubimit.
…
Nga ora 17:00 e pasdites opozita e bashkuar dhe mbështetësit e saj po mbajnë të bllokuara akset rrugore në 6 pika të rëndësishme të vendit.
Bllokime raportohen në disa akse rrugore kryesore në vend, konkretisht: “Tiranë–Durrës”, pranë mbikalimit të Kamzës; “Durrës-Tiranë”, pranë mbikalimit të Shkozetit; “Kashar–Milot”, pranë kryqëzimit të Milotit; “Elbasan–Tiranë”, te rrethrrotullimi i Bradasheshit; “Durrës–Fier”, te rrethrrotullimi i Rrogozhinës dhe “Levan–Tepelenë”, te rrethrrotullimi i Levanit.
Situatë e tensionuar u raportua nga Rrogozhina ku pati përplasje të protestuesve me qytetarët, ndërsa janë djegur goma në Milot dhe Shkozet.
Bllokohet mbikalimi i Shkozetit, digjen goma
Në mbikalimin e Shkozetit, mbështetësit e opozitës bllokuan qarkullimin e mjeteve ndërsa bëhet fjalë për një nyje të rëndësishme trafiku që ka sjellë radhë automjetesh.
Protestuesit po ashtu u vunë zjarrin gomave në mbikalimin e Shkozetit, teksa vazhduan të pengojnë qarkullimin e mjeteve.
Automjetet u orientuan për të devijuar autostradën duke përdorur mbikalimin e Fllakës dhe rrugën e vjetër. Ndërkohë, të bllokuar në kahun e lëvizjes drejt Durrësit mbetën disa kamionë.
Pasi dogjën gomat, protestuesit e PD të mbledhur në rrethrrotullimin e Milotit i kanë vënë zjarrin edhe shkurreve anësore të autostradës.
Në rrethrrotullimin e Shkozetit ndodhet deputeti i qarkut Durrës, Edi Paloka.
Paloka: Beteja nuk duhet të jetë vetëm e opozitës, qytetarët të bashkohen
Deputeti i PD-së, Edi Paloka u bëri thirrje qytetarëve t’ i bashkohen aksionit opozitar, pasi sipas tij, kjo betejë nuk duhet të jetë vetëm e opozitës sepse e keqja që sjell kjo qeveri është në derën e secilit qytetar.
“Duhet të ketë reagim qytetar. Nuk është betejë e opozitës. E keqja nuk është vetëm në derën tonë, por në derën e çdo qytetari. Dje u rikthyen edhe një herë në Shqipëri mbetjet e rrezikshme. Dje ishte opozita atje, dhe qytetarët ishin me pakicë. Nuk helmohet vetëm opozita nga mbetjet e rrezikshme, nuk vjedhin vetëm opozitën, por të gjithë qytetarët. Nuk janë vetëm të opozitës ata pensionistë që merren nga Rama në takime dhe iu premtohet rritje pensionesh mandatin tjetër, pas 3 mandatesh në qeverisje, kur ata mund edhe të mos jenë më, fatkeqësisht”, tha Paloka.
Ai paralajmëroi vijimin e aksionit opozitar në forma të tjera më të ashpra, si bllokim të porteve apo aeroporteve me afate kohore më të gjata.
“I kemi kërkuar policisë të mos bëjnë provokime, sepse s’kemi asnjë qëllim tjetër përveç atij që kemi deklaruar. Jemi në protestë dhe nuk marrim leje nga dy personazhet e zgjedhur në krye të Policisë, nga bandat. Kemi njoftuar publikisht protestën tonë“, tha Paloka.
Ai bëri të ditur se priste që Policia të provokonte protestuesit.
“Nga kjo polici që rrëmben ish-presidentin, sikur të jetë terrorist, që fut banditë me uniformë në Parlament për t’u përleshur me deputetët presim gjithçka. Jemi këtu pikërisht për të hequr qafe këta”, u shpreh Paloka.
Bllokim rruge në Bradashesh, Kaso: Policia të mos provokojë
Nga Bradasheshi, drejtuesi politik i qarkut të Korçës, Ivi Kaso, tha se mosbindja civile po zhvillohet konform të gjitha rregullave, ndërsa apeloi Policinë e Shtetit të ruajë gjakftohtësinë dhe të mos cenojë protestuesit.
Sipas tij, nëse Policia e Shtetit do të provokojë qytetarët, do të marrë përgjigjen e merituar.
“Qëllimi ynë është të arrijmë te qeveria teknike për të bërë të mundur për qytetarët votimin e lirë pas 10 vitesh”, tha ai.
Kaso u shpreh se priste që Policia e Shtetit të procedonte penalisht jo vetëm organizatorët, por edhe qytetarët.
“E kanë bërë këtë në çdo lloj proteste. I bëj thirrje Policisë së Shtetit të tregojë të njëjtin zell sa herë kryeministri apo krerë bashkish presin miq apo oligarkë të huaj dhe vendosin të bllokojnë qarkullimin normal dhe jetën normale të vendit. Ta lexojnë në të njëjtën mënyrë ligjin, jo vetëm për opozitën por edhe qeveritarët”, tha ai.
Bllokohet edhe rrethrrotullimi i Rrogozhinës, deputeti Nallbati: Ta harrojnë se do të mund të trembin qytetarët
Nga Rrogozhina, deputeti Gledion Nallbati akuzoi qeverinë për bashkëpunim me bandat, teksa siguroi se protestat do të vijojnë deri në plotësimin e kërkesës për qeveri teknike. Komentet u bënë ndërsa mbështetës të Partisë Demokratike dolën në rrugë duke iu bashkuar protestës kombëtare dhe bllokuan qarkullimin në rrethrrotullimin e Rrogozhinës.
“E kanë të qartë tashmë të gjithë qytetarët se çfarë ndodh me këtë qeveri, si hartohen listat nga bandat kriminale, të cilat vendosin edhe se kush do të jetë deputet dhe në cilin vend në listë. Nuk mund të hysh në zgjedhje e të pretendosh se ka zgjedhje të lira e të ndershme. Do të vijojmë mosbindjen me të gjitha format për t’u përballur me këtë qeveri”, tha Nallbati.
Ai siguroi se qytetarët do të qëndrojnë dhe se Policia e Shtetit nuk do të mund t’i trembë ata.
Mediet raportuan për përplasje mes protestuesve dhe qytetarëve që kërkuan lirimin e rrugës.
Bllokohet edhe rrethrrotullimi i Milotit, Hoti: Protesta kundër qeverisë që u vodhi të rinjve të tashmen dhe të ardhmen
Deputetja e PD-së, Elda Hoti, së bashku me deputetë të tjerë të zgjedhur në qarqet në veri të vendit po qëndrojnë në rrethrrotullimin e Milotit duke bllokuar kështu lëvizjen e mjeteve për dhe nga veriu i vendit.
Hoti tha se protesta nuk është për të bllokuar qytetarët të lëvizin, por kundër kësaj qeverie që iu ka vjedhur të rinjve të vendit të tashmen dhe të ardhmen. Ajo akuzoi Kryeministrin edhe për diskriminim të veriut.
“Protesta e sotme tregon mosbindjen e qytetarëve ndaj qeverisë. Nuk protestojmë kundër qytetarëve, por kundër regjimit që i ka vjedhur çdo të riu të këtij vendi të tashmen e të ardhmen. Ky ku është një bllokim kundër diskriminimit që kryeministri i ka bërë Veriut të Shqipërisë, kundër varfërisë që është ulur këmbëkryq në çdo familje. Sot qytetarët protestojnë kundër një bande kriminale që ka marrë peng Shqipërinë“, tha Hoti.
Sipas saj, po protestohet për të drejtën për të jetuar të lirë në vend.
“Kemi të burgosur liderin e opozitës pa fakte e prova, kolegun Ervin Salianji për fjalën e lirë, ish-presidentin, ish-kryetarin e Kuvendit, ish-kryeministrin, Ilir Meta, që u rrëmbye si mafioz, ndërkohë shteti ligjor, e i së drejtës i është dorëzuar bandave dhe krimit. Nuk do të dorëzohemi deri sa të fitojmë betejën tonë“, tha ajo.
Protesta në rrethrrotullimin e Levanit, Aliko: Kjo qeveri nuk mbron interesat e qytetarëve
Mbështetës të opozitës bllokoi dhe edhe në rrethrrotullimin e Levanit duke paralizuar lëvizjen e mjeteve, pas protestave të shumta të zhvilluara që prej arrestimit të deputetit Ervin Salianji.
Anëtari i kryesisë së Këshillit Kombëtar të PD-së Dashamir Aliko thotë se kjo qeveri nuk mbron interesat e qytetarëve të saj të cilët ndjehen të braktisur.
Pensionistët, sipas tij, janë gati të futen në grevë urie, pasi tashmë nuk sigurojnë dot as ilaçet.
“Protestat duhet të shtohen deri në rrëzimin e kësaj qeverie e krijimin e qeverisë teknike dhe lirimin e kreut të PD-së dhe deputetit Salianji”, tha ai.
Kjo është protesta e dytë kombëtare e thirrur nga Partia Demokratike si reagim pas dënimit me 1 vit burg të nënkryetarit të grupit parlamentar të PD, Ervin Salianji, i cili u shpall fajtor nga gjykata për “Kallëzim të rremë” lidhur me dosjen “Babalja”.
Tashmë, opozita ka shpallur mosbindjen civile, akti i parë i së cilës ishte djegia e karrigeve në oborrin e Kuvendit si dhe bllokimi i seancave plenare.
Fraksion.com