“Numri i kontribuesve në sigurimet shoqërore, ishte për tokë”, Rama: Plan agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit dhe punëmarrësit
Kryeministri Edi Rama gjatë një takimi sot me pensionistë në Fier, tha se qeveria ka bërë një plan tjetër shumë agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit, por edhe nga ata që janë punëmarrës, të cilët pranojnë të marrin para në dorë.
Duke folur për reformën e re në skemën e pensioneve, kreu i qeverisë nënvizoi se është rritur me 300 mijë numri i kontribuesve në sigurimet shoqërore, por tashmë sfida është me deklarimin e plotë të pagave.
“E kemi rritur me afro 300 mijë numri e kontribuesve në sigurimet shoqërore, sepse ishte për tokë. Tashmë është nga deklarimi jo i vërtetë i pagave. Mjafton të shohim se çfarë ndodh me turizmin dhe ndërtimin kur e dimë që janë në nivele të konsiderueshme se në gjithë rajonin, ndërkohë deklarimi i pagave është shumë i ulët. Këto para që janë për pensionistët janë një ngarkesë që mund ta heqin duke i shkelur syrin njëri-tjetrit.
Ne kemi bërë një plan tjetër shumë agresiv për të frenuar vjedhjen e pensioneve nga sipërmarrësit, por edhe nga ata që janë punëmarrës dhe që pranojnë të marrin në dorë paratë të cilat na bëjnë një dëm dyfish. Aq sa paguan sigurime, aq të del edhe pensioni, mbi bazën e kontributit që ke dhënë, kush nuk ka dhënë kontribut”, tha Rama.
Kreu i qeverisë nënvizoi se “ne do të ndërhyjmë shumë fort kundër kësaj vjedhje, pasi duhet ta rrisim volumin e të ardhurave nga kontributeve sigurimeve shoqërore për të pasur një rritje të konsiderueshme pensionesh”.
Rama tha se “një arsye tjetër që është po kaq e rëndësishme është se ne vazhdojmë të kemi një problem serioz me shmangien e detyrimeve shoqërore nga punëmarrësit dhe punëdhënësit dhe këtu është koha për të bërë një tjetër përpjekje shumë të fuqishme nga ana jonë. Pasi tanimë ne jemi në kushtet kur rritja ekonomike dhe e mundësive na e ka krijuar këtë mundësi të vijmë te ju dhe të diskutojmë. Para se kemi pasur këtë mundësi”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë deklaroi se, “nuk është se ne i kemi lënë mënjanë, komplet e kundërta është e vërtetë. Ne jemi PS dhe nëse ne nuk e kemi në qendër të vëmendje pensionistin nuk meritojmë emrin që mbajmë. Nuk është diçka që mund ta bësh nga dëshira apo që mund ta bësh duke u nisur nga interesi politik i një momenti të caktuar. Nëse e bën, hap një gropë në hapa të mëtejshme, që është një grope edhe më e rrezikshme se ajo që hapën piramidat faktikisht falimenton shteti komplet”.
Rama bëri me dije se qeveria mbulon me afro 500 milionë euro diferencës, midis sigurimeve shoqërore dhe pensioneve.
“Në çdo pension që jepet sot një pjesë e paguan qeveria dhe jo sigurimet shoqërore. Ne jemi të gatshëm të paguajmë këtë pjesë dhe jo më shumë, problemi është tek mbajtja e një balance të shëndetshme që mos të pengojë zhvillimin. Taksat nuk janë për të paguar pensione, por për të paguar të gjitha ato që i duhen shtetit për të funksionuar dhe të financojë zhvillim. Sigurimet shoqërore janë për të financuar pensionet, kush i shmanget i heq pensionistëve drejtpërdrejtë për të marrë një pension më të mirë”, u shpreh Rama.