Xhafaj: Reforma në Drejtësi e pakthyeshme, garantohet dhënia fund pandëshkueshmërisë
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për Antikorrupsionin, Fatmir Xhafaj u shpreh sot se synohet të garantohet pakthyeshmëria e Reformës në Drejtësi, konsolidimi i saj dhe rritja e eficiencës së sistemit të drejtësisë për qytetarët shqiptarë.
Gjatë një konference për medie, Xhafaj u shpreh se “të gjitha shtyllat e Reformës në Drejtësi që janë miratuar në vitin 2016, janë për ne të panegociueshme”.
“Jemi shumë krenarë që kemi iniciuar, hartuar e zbatuar Reformën në Drejtësi. Zbatimi i saj është domosdoshmëri për zbatimin e ndarjes së tre pushteteve dhe për një drejtësi të pavarur e të barabartë për të gjithë qytetarët. Ne vlerësojmë po ashtu kontributin në dhënien fund të pandëshkueshmërisë”, shtoi Xhafaj.
Duke folur për draftin e paraqitur në komisionin Antikorrupsion, Xhafaj theksoi se janë rreth 140 nene të propozuara për ndryshime ligjesh nga vetë institucionet e drejtësisë, që duhen plotësuar.
“Kuvendi duhet të kryejë kontrollin postlegjislativ. Duhet të realizohet ky proces për të garantuar suksesin e Reformës, për të reflektuar mbi gjetjet dhe problematikat dhe për të bërë ndryshimet e nevojshme. Reforma në Drejtësi na solli këtu ku jemi në procesin e negociatave. Ne synojmë t’i japim të njëjtën energji si me Reformën në Drejtësi, edhe procesit të integrimit në BE”, tha Xhafaj.
I pyetur nëse do të ketë ndryshime kushtetuese që prekin Reformën në Drejtësi, Xhafaj u shpreh se në draftin aktual nuk ka parë propozime të tilla.
“Por ky është një proces dhe nëse ekspertët do të propozojnë diçka të tillë, kjo do të shihet në përfundim. Nga konteksti i analizës shoh nevojën për ndryshime ligjore dhe institucionale në kuadrin ligjor që është në këto tri fusha: Mirëqeverisjen, antikorrupsionin dhe sundimin e ligjit”, tha Xhafaj.
Fraksion.com