AktualitetTë fundit

Prokuroria sekuestron kontejnerët me mbetje të dyshuara toksike në Portin e Durrësit

Prokuroria e Durrësit ka sekuestruar kontejnerët e dyshuar me mbetje toksike, të cilët janë rikthyer në Portin e Durrësit.

Sipas njoftimit të Prokurorisë, kontejnerët do të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore, dhe asaj fizike, nëpërmjet monitorimit 24 orë përmes kamerave.

“Bashkëlidhur me këtë shkresë, po ju dërgojmë për ekzekutim Vendimin e Prokurorit datë 26.10.2024 për sekuestrimin e kontejnerëve në lidhje me procedimin penal nr. 1596/2024.

Të gjithë subjektet e ngarkuara me zbatimin e këtij vendimi të nënshkruajnë në procesverbalin e sekuestrimit, në të cilin të përshkruhen në mënyrë të detajuar të gjitha veprimet që do kryhen në ekzekutim të vendimit dhe përshkrimi i saktë i sendeve.

Të merren masa që sendet e sekuestruara të depozitohen në një vend të sigurt si për sa i përket sigurisë mjedisore dhe asaj fizike nëpërmjet monitorimit të kamerave 24 orë. Sendet e sekuestruara të mbahen në gjendjen që janë pa u proceduar me hapjen e tyre”, thuhet në vendimin e Prokurorisë.

Në urdhrin e ekzekutimit, dy prokuroret Suela Beluli dhe Mediana Meta kanë listuar me numrat përkatës 102 kontejnerët që dyshohet se mbajnë mbetje të rrezikshme.

“Në funksion të këtij procedimi është e nevojshme të sekuestrohen në cilësinë e provës material me qëllim kryerjen e ekspertimeve përkatëse 102 kontejnerë”, thuhet në vendimin e prokurorisë.

Anija “Moliva XA443A” që transporton kontejnerët është ankoruar mëngjesin e sotëm në radën e Portit të Durrësit.

 

Fraksion.com