AktualitetPolitikëTë fundit

Ministra dhe deputetë të PS në terren, Rama: Të angazhuar në përfshirjen e pensionistëve në hapësirën e rritjes ekonomike

Diskutimi publik mbi çështjen e pensioneve ka vijuar në të gjitha qarqet e vendit, ku janë organizuar takime informuese me kategorinë e pensionistëve.

Ministra të kabinetit qeveritar, të cilët janë njëkohësisht drejtues të PS-së në qarqe, kryetarët e bashkive dhe deputetët socialistë, kanë zhvilluar takime të përditshme me pensionistë për t’i informuar ata mbi sfidën e realizimit të rritjes së pensioneve.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale një fotoalbum nga këto takime, ndërsa theksoi se qeveria dhe grupi parlamentar i Partisë Socialiste janë angazhuar në të gjithë Shqipërinë, në diskutimin e hapur për pensionet në rrugën drejt Shqipërisë 2030.

“Vijon diskutimi i hapur për pensionet në rrugën drejt Shqipërisë 2030 me angazhimin e qeverisë dhe grupit parlamentar të Partisë Socialiste në të gjithë Shqipërinë, për të ndarë me pensionistët fakte e pikëpamje mbi sfidën e përfshirjes së tyre në hapësirën e rritjes ekonomike të vendit”, u shpreh Rama.

“Pensionet, drejt Shqipërisë 2030” është diskutimi publik i radhës i nisur nën drejtimin e Kryeministrit Edi Rama me fokus rëndësinë e luftës kundër informalitetit të pagave, si armiku kryesor i pensioneve.

Aktualisht skemës së kontributeve të sigurimeve shoqërore i mungojnë rreth 500 milionë euro në vit nga mosdeklarimi real i pagave.

Diskutimi publik me pensionistët po vijon në të gjitha qytetet e vendit.

 

Fraksion.com