“Komisioni i Venecias rishqyrtim të sistemit të drejtësisë”, Berisha: I bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA të ndërmarrë një hetim për…
Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha gjatë një konference për medie u ka bërë thirrje Parlamentit Europian, Komisionit Europian dhe vendeve partnere që të heqin dorë nga çdo mbështetje e kësaj drejtësie, e cila, sipas tij, kontrollohet nga kryeministri Edi Rama.
Duke folur për Reformën në Drejtësi, Berisha tha se reforma ka dështuar dhe se drejtësia e re është një drejtësi e munguar për qytetarët shqiptarë.
“Të angazhojnë Komisionin e Venecias për një rishqyrtim tërësor të këtij sistemi, në mënyrë që shqiptarëve t’u rikthehet e drejta themelore e një procesi ligjor të drejtë dhe drejtësia të nxirret nga kthetrat e politikës dhe të shndërrohet në një sistem të varur nga ligji”, u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha hodhi akuza edhe në drejtim të ish-ambasadores së SHBA-së në vendin tonë Yuri Kim, për të cilën tha se është “bashkautore në grushtin e shtetit që iu bë opozitës shqiptare, në një rast mbi baza kryekëput korruptive”.
“Besoj se për ju e çdo shqiptar, sot është bërë e qartë se shkaku madhor i shpalljes non-grata të Sali Berishës qëndronte në mbrojtjen nga ai të interesave kombëtare dhe denoncimit nga ai të korrupsionit të narkoqeveritarëve shqiptarë dhe diplomatëve të korruptuar ndërkombëtarë”, tha Berisha.
“Unë i bëj thirrje Departamentit të Drejtësisë të SHBA të ndërmarrë një hetim për rolin e saj në këto procese”, shtoi Berisha.
I pyetur në lidhje me koalicionin zgjedhor me Partinë e Lirisë, në një kohë kur presidenti i kësaj force politike është në burg, Berisha tha se çështja e koalicionit është një çështje e hapur dhe se PD qëndron e hapur ndaj aleatëve të vet.
“Partia e Lirisë është një parti aleate. Ilir Meta është një i burgosur politik”, tha Berisha.
Fraksion.com