AktualitetBota+Të fundit

Boyko Borissov falënderon votuesit, GERB fiton zgjedhjet në Bullgari

Partia e qendrës së djathtë në Bullgari, GERB, i ka fituar zgjedhjet parlamentare të dielën, sipas rezultateve preliminare, mirëpo asaj do t’i dihet një partner koalicioni për të formuar Qeverinë.

Sipas rezultateve preliminare të komisionit shtetëror zgjedhor, GERB i ka fituar 26.08 për qind të votave.

Partia reformiste, Ne Vazhdojmë Ndryshimin, ka dalë e dyta me 14.76 për qind të votave, ka thënë komisioni të hënën, pas numërimit të më shumë se 82 për qind të votave.

Partia ultra-nacionaliste, Ringjallja, ka dalë e treta me 13.8 për qind të votave.

Zgjedhjet e së dielës, të shtatat në katër vjet, janë mbajtur si pasojë e dështimit të partive politike bullgare që të formojnë koalicion qeveritar pas zgjedhjeve të 9 qershorit.

Lideri i GERB-it, Boyko Borissov, ka falënderuar të hënën votuesit për mbështetjen, dhe ka thënë se partia e tij do të formojë Qeverinë e re.

“Ne do të punojmë së bashku me të gjithë, përveç Ringjalljes”, ka thënë ai.

Bullgaria është udhëhequr nga qeveri jetëshkurtra prej vitit 2020, kur protestat kanë ndihmuar në dhënien fund të koalicionit të udhëhequr nga partia GERB.

Ekspertët thonë se Bullgaria ka nevojë për periudhë stabiliteti, një qeveri që funksionon si duhet, në mënyrë që të rriten fondet e Bashkimit Evropian, dhe të nisin procedurat për adoptim të valutës euro.

Planet për të hyrë në Eurozonë janë shtyrë dy herë, për shkak të mosarritjes së targetit për ulje të inflacionit.

Shumë votues kanë thënë se shqetësohen për mundësinë e shumë pasigurive në të ardhmen./REL

 

Fraksion.com