Gjeorgji: Rezultatet paraprake e nxjerrin të parën partinë qeverisëse pro ruse
Njeriu më i fuqishëm i Gjeorgjisë fitoi zgjedhjet parlamentare të shtunën, sipas rezultateve të hershme zyrtare, një goditje për ata gjeorgjianë që shpresojnë për një integrim në Bashkimin Evropian.
Themeluesi i partisë Ëndrra Gjeorgjiane, miliarderi Bidzina Ivanishvili, opozita dhe diplomatët e huaj, i kishin cilësuar zgjedhjet si një moment vendimtar që do të vendoste nëse Gjeorgjia do t’i afrohej Perëndimit ose do të anonte përsëri drejt Rusisë, në mes të luftës në Ukrainë.
Rezultatet e hershme zyrtare me 70 për qind të zonave të numëruara, që përfaqësojnë shumicën e votave të hedhura, treguan se partia në pushtet kishte fituar 53 për qind të votave, tha Komisioni i Zgjedhjeve. Rezultatet nuk përfshijnë shumicën e votave të hedhura nga gjeorgjianët që jetojnë jashtë vendit.
Sondazhet e kryera menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit ofruan parashikime të ndryshme mbi rezultatin e zgjedhjeve. Sipas një sondazhi të kryer nga kanali televiziv ‘Imedi’ që mbështet Ëndrrën Gjeorgjiane, partia në pushtet ka fituar zgjedhjet duke siguruar 56 për qind të votave.
Por, sondazhet e kryera nga kanalet pro-opozitës ‘Formula’ dhe ‘Mtavari Arkhi’ treguan se partitë opozitare pro-perëndimore, kishin fituar mbështetje të madhe, duke siguruar së bashku 83 vende në parlamentin me 150 deputetë.
Bidzina Ivanishvili, dikur kryeministër i partisë në pushtet, shpalli fitoren dhe lavdëroi qytetarët e Gjeorgjisë.
“Është një rast i rrallë në botë që e njëjta parti të arrijë një sukses të tillë në një situatë kaq të vështirë. Ky është një tregues i mirë i talentit të popullit gjeorgjian”, u tha Ivanishvili mbështetësve që po kremtonin.
Megjithëse Ëndrra Gjeorgjiane humbi përballë opozitës në pjesë të kryeqytetit, Tbilisi, ajo fitoi deri në 90 për qind në disa zona rurale.
Opozita gjeorgjiane fillimisht kremtoi gjithashtu fitoren dhe disa vëzhgues raportuan shkelje zgjedhore. Por, një numërim paralel i kryer nga një prej partive opozitare tregoi se Ëndrra Gjeorgjiane është në një pozicion të fortë për të fituar shumicën.
Ivanishvili, i cili bëri pasurinë e tij në Rusi në vitet e 90-ta, mori pushtetin në vitin 2012 duke mbrojtur pikëpamjet pro-perëndimore, bashkë me një politikë pragmatike ndaj Rusisë.
Që atëherë, ai është acaruar me Perëndimin, duke e akuzuar se po kërkon të tërheqë Gjeorgjinë në luftë me Rusinë, ndonëse këmbëngul se Gjeorgjia është në rrugën e anëtarësimit në BE.
Nëse fitorja për partinë e Ivanishvilit konfirmohet, do të ishte një goditje për shpresat e BE-së për të sjellë në orbitën e saj më shumë ish-republika sovjetike. Moldavia më 20 tetor votoi me një shumicë shumë të ngushtë për të mbështetur anëtarësimin në BE.
Rusia vazhdimisht kishte sinjalizuar se donte që Ëndrra Gjeorgjiane të fitojë, ndërsa akuzoi vendet perëndimore për ndërhyrje të panevojshme në politikën gjeorgjiane.
“Gjeorgjianët fituan. Ju lumtë!”, tha Margarita Simonyan, redaktore e medias shtetërore ruse RT, të cilën Shtetet e Bashkuara e kanë akuzuar për përpjekje për të ndikuar në zgjedhjet amerikane.
Nuk pati ndonjë koment të menjëhershëm nga BE-ja për zgjedhjet e së shtunës.
Presidentja e Gjeorgjisë Salome Zourabichvili, dikur aleate e partisë në pushtet që u kthye në kritike të ashpër, dhe vëzhguesit e pavarur vendas të zgjedhjeve pretenduan se Ëndrra Gjeorgjiane ishte përfshirë në blerje të gjerë votash dhe forma të tjera abuzimi zgjedhor në prag të votimeve.
Shoqata Ndërkombëtare për Zgjedhje të Drejta dhe Demokraci (ISFED), një grup i pavarur vëzhgues gjeorgjian i themeluar në vitin 1995, tha se kishte dokumentuar shkelje të shumta dhe raste të dhunës jashtë shumë qendrave të votimit.
Një video e shfaqur në mediat sociale tregonte një burrë që mbushte një kuti votime me shumë fletëvotime në Marneuli, një qytet me rreth 25,000 banorë në jug të Tbilisit. Votat më vonë u shpallën të pavlefshme, tha një zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, sipas agjencisë së lajmeve Interpress.
Giorgi Kalandarishvili, kryetar i Komisionit të Zgjedhjeve, tha se votimi ishte i qetë dhe i lirë dhe tha se zgjedhjet u zhvilluan në përputhje me standardet ndërkombëtare.
Gjeorgjia ishte dikur një nga shtetet më properëndimore që doli nga kaosi që pasoi rënien e Bashkimit Sovjetik. Rruga që të çon në aeroportin e Tbilisit mban emrin e ish-presidentit amerikan George W. Bush.
Që nga agresioni rus në Ukrainë në shkurt të vitit 2022, marrëdhëniet e Tbilisit me Perëndimin kanë pësuar rënie. Ndryshe nga shumë aleatë perëndimorë, Gjeorgjia nuk pranoi të vendoste sanksione ndaj Moskës, ndërsa retorika e Ëndrrës Gjeorgjiane është bërë gjithnjë e më pro-ruse.
Ëndrra Gjeorgjiane ka nxitur zemërimin e aleatëve perëndimorë për atë që ata e konsiderojnë si prirjen e saj gjithnjë e më autoritare. Kryeministri hungarez Viktor Orban uroi Ëndrrën Gjeorgjiane për “fitoren e thellë”.
Ëndrra Gjeorgjiane bëri një fushatë të fortë për ta mbajtur Gjeorgjinë jashtë luftës në Ukrainë, me pamje të fushatës që krahasonin qytetet e pacenuara gjeorgjiane me ato të shkatërruara ukrainase./VOA
Fraksion.com