Avionë turistikë në Gjirokastër, ulen pas 92 vitesh
Aerodromi i Gjirokastrës është kthyer tashmë në qendër të turizmit sportiv.
Pas pothuaj 90 vitesh, tetë avionë sportivo-turistik të mbërritur nga aeroportet e Sibari, Barit dhe Brindizi të Italisë janë ulur në aerodromin e qytetit të gurtë ditën e sotme, i cili është i vetmi i certifikuar në vendin tonë për uljen e këtyre avionëve.
Shërbimi polici-doganë që tashmë është në dispozicion të pilotëve shmang uljen e detyruar në aeroportin e Rinasit.
“Sot me vendosjen e shërbimit doganor dhe policor këtu në aerodrom çdo pilot mund të njoftojë sipas proceduarave të aviacioni, mund të ulet këtu pa kaluar në aeroportin e Rinasit. Kjo do të ndikojë pozitivsht për zhvillimin e turizmit. Gjirokastrës i hapet një dritare e re komunikimi me Europën”, tha për mediat Teodor Bilushi, Konsull nderi i Italisë në Gjirokastër.
Piloti italian Alessandro Romanazzi Carducci tha se Aerodromi i Gjirokastrës tashmë i ploteson të gjitha kushtet.
“Kemi ardhur nga Italia. Udhëtimi shkoi shumë mirë, falë edhe kësaj dite të mrekullueshme. Pista e aerodromit është mjaft e përshtatshme për llojin e avionëve sportiv dhe infrastruktura e saj mundëson uljen pa problem”- tha Alessandro Romanazzi Carducci.
Vendosja në funksionim e këtij aerodromi, ka ndikim të rëndësishëm në jetën social-ekonomike të rajonit të Gjirokastrës.
Rijetësimi i aerodromit të Gjirokastrës i vjen në ndihmë zhvillimit të biznesit prodhues, tregtar, etj. që operon aktualisht në këtë zonë si dhe shkëmbimeve në fusha të ndryshme.
Aerodromi i Gjirokastrës ka një histori gati njëshekullore. Fluturimet e rregullta në të kanë nisur zyrtarisht në vitin 1929 me linjën ajrore Tiranë-Gjirokastër-Tiranë.
Qyteti i gurtë tashmë është pjesë e Listës së Trashëgimisë Kulturore Botërore nën Mbrojtjen e UNESCO-s, duke bërë që Gjirokastra të jetë një nga qendrat më të rëndësishme të turizmit kulturor gjithëvjetor, me një rritje të vizitorëve nga viti në vit.
Aerodromi i Gjirokastrës ndodhet në një distancë prej më pak se 1 km nga ana lindore e qytetit dhe shumë afër rrugës nacionale.
Fraksiin.com