AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Drejtësia po godet korrupsionin pa dallim siglash, PS e vetmja forcë shtetbërëse

Nga Nju-Jorku ku po zhvillon një takim me komunitetin shqiptar në kuadër të turit të diasporës, Kryeministri Edi Rama u ndal te realizimi i Reformës në Drejtësi.

Kreu i qeverisë, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, tha se drejtësia po godet edhe në radhët më të larta të Partisë Socialiste.

“Kjo parti në pushtet, në Shqipëri do të goditej edhe vetë nga një drejtësia e pavarur, siç po goditet vetë PS, nëse nuk do ta kishim këtë vullnet, do të thotë të merresh me gishtin dhe gishti tregon hënën. Ka vetëm një të vërtetë në lidhje me aftësitë shtetbërëse të politikës shqiptare. Kjo e vërtetë është se ka vetëm një forcë shtetbërëse, PS, pa të cilën dhe udhëheqjen saj Shqipëria nuk do ta bënte Reformën në Drejtësi dhe as nuk do ta godiste korrupsionin pa dallim siglash politike”, u shpreh Rama.

Rama tha se në këtë fazë të historisë, vendi ka vetëm një forcë shtetbërëse dhe ajo është Partia Socialiste e Shqipërisë.

“Shqipëria e kësaj faze të historisë së saj ka vetëm një forcë shtetbërëse: Partinë Socialiste të Shqipërisë, pa të cilën nën udhëheqjen e saj Shqipëria nuk do ta bënte dot Reformën në Drejtësi, dhe as nuk do ta godiste dot kurrë korrupsionin pa dallim siglash politike, dhe as nuk do të ulej në çdo tryezë dhe forum të lartë ndërkombëtar si e barabartë mes të barabartëve, dhe as nuk do të bëhej dot një histori ndërkombëtare suksesi në Mesdheun turistik me rritjen më të lartë të turistëve në Europë, dhe me aeroportin e vet ndërkombëtar, që është aeroporti me rritjen më të lartë të pasagjerëve në Evropë, dhe as nuk do të mirëpriste në Tiranë të parin samit të BE-së dhe Ballkanit Perëndimor jashtë kufijve të BE-së”, u shpreh Rama.

Fraksion.com