AktualitetPolitikëTë fundit

Tabaku për pensionet: Qeveria e pakicës po i shpërfill pensionistët për hir të oligarkëve

Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku reagoi sot ndaj asaj që e cilësoi fushatë e qeverisë për pensionistët për të cilën tha se është “show” e radhës” e orkestruar nga mazhoranca socialiste.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Tabaku theksoi se kjo fushatë është një cirk i telekomanduar, ku 780,000 pensionistë përdoren për përfitime politike, ndërsa realiteti i buxhetit është krejtësisht ndryshe.

Sipas Tabakut, buxheti i miratuar në shtator tregoi qartësisht prioritetet e kësaj qeverie.

Ndërsa qeveria ndau 73 milionë euro më shumë për koncesionet e PPP-ve krahasuar me fillimin e vitit, pensionistëve u është ndarë një pjesë minimale – pesë herë më pak se ajo që iu dha oligarkëve.

“Kjo është një qeveri që përfaqëson një pakicë, që nuk dëgjon zërin e qytetarëve të saj,” u shpreh Tabaku.

Ajo bëri thirrje për një qasje më të drejtë ndaj pensionistëve dhe qytetarëve, duke theksuar se politikanët duhet të flasin me veprime, jo me fjalë boshe.

“Përmallimet e ministreshave e deputetëve për pensionistët janë thjesht show i radhës i cirkut lëvizës që me telekomandë u urdhërua që 780,000 pensionistë duhen takuar. Politikanët flasin me akte dhe e vërteta është komplet ndryshe. Qeveria socialiste e ndryshoi buxhetin në shtator 2024 dhe u dha 73 mln euro PPP-ve më shumë sesa në fillim të vitit. Rishikuan buxhetin dhe i dhanë pensionistëve 5 herë më pak se sa oligarkëve. Qeveria e pakicës”, shkroi Tabaku në rrjetet sociale. /j.p/

 

Fraksion.com