AktualitetBota+Të fundit

Koreja e Veriut dhe lufta në Ukrainë

Nga David Ehl

 

Ka shenja në rritje se ushtarët e Koresë së Veriut duhet të luftojnë në anën e Rusisë në Ukrainë. Ukraina flet për pjesëmarrjen e Koresë së Veriut në luftë.

Fakti që Rusia dhe Koreja e Veriut bashkëpunojnë në parim nuk është asgjë e re: në qershor, presidenti rus Vladimir Putin udhëtoi në Phenian për të negociuar një partneritet sigurie me udhëheqësin e Koresë së Veriut, Kim Jong Un. Më herët, kishte spekulime për dërgesa të shumta të armëve të Koresë së Veriut, veçanërisht municioneve artilerie. Në vitin 2023, shërbimi sekret ukrainas HUR raportoi se një kontigjent ushtarak i Koresë së Veriut kishte mbërritur tashmë në territoret e okupuara të Ukrainës.

3000 ushtarë të Koresë së Veriut në Rusi

Por gjetjet e publikuara të premten e kaluar nga shërbimi sekret i Koresë së Jugut NIS i japin çështjes një dimension tërësisht të ri – sipas këtyre të dhënave, Pheniani po përgatit deri në 12.000 ushtarë për luftën ruse kundër Ukrainës. Prej tyre, 1.500 janë transferuar tashmë në portin rus të Vladivostok. NIS tani madje po flet për 3.000 ushtarë të këtij vendi në Rusi. Sipas të njëjtave informacione, ata kanë marrë uniforma ruse për të fshehur identitetin e tyre. Ekipi i verifikimit të fakteve të DW ishte në gjendje të konfirmonte se pamjet e siguruara nga NIS tregojnë vendndodhje në Distriktin Ushtarak Lindor të Rusisë. As Rusia dhe as Koreja e Veriut ende nuk i kanë konfirmuar zyrtarisht këto pretendime.

“Për momentin ka pak informacione konkrete, ka vetëm shumë spekulime jo specifike”, thotë Nico Lange, një bashkëpunëtor i lartë në Konferencën e Sigurisë së Mynihut (MSC), në një intervistë për DW. Nuk ka dyshim se për disa kohë, domethënë menjëherë pas vizitës së Vladimir Putin në Phenian, ekuipazhet e ndërtimit të forcave të armatosura të Koresë së Veriut kanë qenë në territoret e pushtuara dhe janë aktive në Ukrainë.”

Pamje nga sateliti për dyshimet rreth vendosjes së trupave koreanoveriore në Rusi - në pamjet me mbishkrime koreane shihen disa zona për të cilat dyshohet se janë me ushtarë të këtij vendi.

Incizimet nga sateliti për dyshimet rreth vendosjes së trupave koreanoveriore në RusiFotografi: Sopa/Sipa/picture alliance

Lange shpjegon: “Por nuk duhet nxjerrë automatikisht një përfundim nga ky informacion që qarkullon tani se 12 mijë ushtarë të Koresë së Veriut luftuan së bashku me rusët në Ukrainë. Kjo nuk është vënë re deri më tani”.

Ukraina kërkon ndihmën e Perëndimit kundër aleancës së re të Putinit

Megjithatë, nga këndvështrimi ukrainas, ky është një zhvillim shqetësues. Ndërsa presidenti rus Putin e prezanton veten si mikpritës i kujdesshëm i samitit të BRICS të kësaj jave, Kievi është i shqetësuar për mbështetjen e mëtejshme. I ashtuquajturi “plani i fitores” i Presidentit Volodymyr Zelensky ka dështuar të gjenerojë ndonjë vrull. Ukraina duhet të frikësohet se Donald Trump, i cili dëshiron të ndërpresë ndihmën me armë, do të fitojë zgjedhjet presidenciale në SHBA në fillim të nëntorit. Ai kohët e fundit madje fajësoi Zelenskyn për pushtimin rus, në një podcast.

Vetë Zelensky e bëri të qartë gjatë fundjavës se partnerët e vendit të sulmuar nga Rusia duhet t’i përgjigjen “provave të qarta”. “Ne nuk duhet të lejojmë që e keqja të rritet. Nëse bota hesht tani dhe nëse së shpejti shohim rregullisht ushtarë të Koresë së Veriut në front si dhe nëse rregullisht duhet të luftojmë kundër Shahedit (dronë kamikaze iraniane…), kjo nuk do t’i sjellë dobi askujt në botë dhe vetëm do ta zgjasë luftën”, theksoi presidenti ukrainas.

Reagimi i përmbajtur i Perëndimit

Është thelbësore se si do të reagojë SHBA tani – në fund të fundit, Uashingtoni nuk është vetëm mbrojtësi më i madh i Ukrainës, por edhe fuqia mbrojtëse e Koresë së Jugut. SHBA është edhe anëtari më i rëndësishëm i NATO-s që flet hapur se ka “prova” për praninë e trupave të Koresë së Veriut në Rusi. Por ministri i Mbrojtjes Lloyd Austin është i rezervuar: “Çfarë po bëjnë saktësisht këta ushtarë atje? Kjo mbetet për t’u parë. Nëse ata synojnë të marrin pjesë në këtë luftë në emër të Rusisë, atëherë ky është një problem shumë, shumë serioz,” tha ai në një takim në Romë.

Putini dhe Kim Jong Un përshëndesin ushtarët koreanoveriorë

Putini në vizitë në Korenë e VeriutFotografi: Vladimir Smirnov/POOL/TASS/dpa/picture alliance

Problemi është që ndoshta do të ndikojë më shumë në mandatin e administratës së ardhshme amerikane nën Donald Trump ose Kamala Harris. Eksperti i MSC Lange beson se edhe Evropa do të presë zgjedhjet në SHBA më 5 nëntor. “Për momentin, nuk i shoh vendet e mëdha në Evropë të bashkohen për të zhvilluar një strategji të përbashkët. Çfarë duam ne? Çfarë do të bëjmë kundër vetë Rusisë dhe kundër mbështetësve të Rusisë?”.

Një zëdhënëse e NATO-s në Bruksel tha se nëse rezulton se këto trupa janë dërguar për të luftuar në Ukrainë, kjo paraqet “një përshkallëzim të rëndësishëm të mbështetjes së Koresë së Veriut për luftën e paligjshme të Rusisë dhe një shenjë të mëtejshme të humbjeve të Rusisë në vijën e frontit”. Aleanca aktualisht po diskuton hapat e ardhshëm.

“Fakti që Evropa nuk ka reaguar ende ndaj vendosjes së supozuar të trupave të Koresë së Veriut është një lëshim fatal,” thotë Roderich Kiesewetter, një ekspert gjerman i politikës së jashtme. Ai tha në Bundestag: “Shumë vende evropiane e kanë kërkuar këtë për një kohë të gjatë. Para së gjithash, Gjermania duhet të ndryshojë përfundimisht qëndrimin e saj për këtë çështje.” Ai përsëriti kërkesat për të hequr kufizimet në gamën e armëve të dërguara në Ukrainë dhe duhet t’i dërgojë asaj sistemet më të fuqishme dhe duhet t’i bëjë një ftesë për anëtarësim në NATO.

Të mërkurën në mëngjes, Ministria e Punëve të Jashtme të Gjermanisë thirri të ngarkuarin me punë të Ambasadës së Koresë së Veriut – dhe i vuri në dukje diplomatit të Koresë së Veriut se siguria e Gjermanisë dhe rendi evropian i paqes kërcënohen nga mbështetja e mundshme e agresionit të Rusisë.

Kim Jong Un dhe Vladimir Putin futen në një derë së bashku, nga krahët qëndrojnë dy truproje.

Kim Jong Un dhe Vladimir Putin, miqësi e qëndrueshme?Fotografi: Korean Central News Agency/Korea News Service/AP/picture alliance

Win-win për Rusinë dhe Korenë e Veriut, por për sa kohë?

DW foli për koalicionin ruso-koreanoverior me Andrej Lankov, profesor i historisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin Kokmin në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul. Ai thekson se nga pjesëmarrja e ushtarëve të Koresë së Veriut mund të përfitojë Rusia duke shmangur mobilizimet e mëtejshme. “Kjo luftë është e popullarizuar në Rusi, por vetëm nëse shumica e njerëzve nuk përfshihen në luftime dhe nëse lufta nuk ndikon në jetën e tyre të përditshme”, theksoi Lankov. Sipas tij, në Rusi ka gjithnjë e më pak njerëz që janë të gatshëm të rrezikojnë jetën e tyre, edhe nëse ju ofrohen përfitime financiare që parashikohen në kontratat ushtarake.

Nga ana tjetër, Koreja e Veriut kërkon para dhe teknologji nga Rusia. “Një ushtar me kontratë në ushtrinë ruse merr 2.000 dollarë në muaj plus një bonus që mund të jetë deri në 20.000 dollarë. Pheniani do të ishte i kënaqur me gjysmën e këtyre parave për çdo ushtar,” thotë Lankov. Teknologjia moderne është po aq e kërkuar: “Në rrethana të tjera, Rusia nuk do të ishte kurrë e gatshme të ndante teknologjinë me një vend kaq të paqëndrueshëm, por tani nuk ka zgjidhje tjetër”. Koreja e Veriut përfiton nga kjo.

Por ky ekspert beson se bashkëpunimi nuk do të zgjasë shumë. Pas përfundimit të luftës në Ukrainë, marrëdhëniet mund të kthehen në nivelin e mëparshëm, sepse atëherë Koreja e Veriut nuk do të ishte më interesante ekonomikisht për Moskën./DW

 

Fraksion.com