Von der Leyen: Vlerësoj angazhimin personal të presidentit Begaj për të ardhmen e Shqipërisë në BE
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, ka reaguar pas takimit me kreun e shtetit shqiptar, Bajram Begaj.
Në një postim në rrjetin social “X”, ajo e ka quajtur bisedën me presidentin Begaj, një takim të mirë, ndërsa ka vlerësuar angazhimin e tij për të ardhmen e Shqipërisë në BE.
“Faleminderit për një takim të mirë Bajram Begaj. Unë e vlerësoj thellësisht angazhimin tuaj personal për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin tonë. Si dhe perspektiva juaj unike për pajtimin, integrimin dhe prosperitetin e rajonit”, shkruan zyrtarja e lartë e BE.
Vizita e Von der Leyen në Tiranë ishte në kuadër të turit të saj ballkanik, ndërsa pas Shqipërisë, presidentja e KE do të vizitojë edhe vend të tjera të rajonit.
Sot Von der Leyen do të shkojë në Maqedoninë e Veriut, ku do të takohet me kryeministrin Hristjan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova.
Më pas, po të enjten do të vizitoj Bosnjën e Hercegovinën, ku fillimisht pritet t’i vizitojë zonat e prekura nga përmbytjet e fundit vdekjeprurëse. Presidentja e KE-së të premten do të ketë takime në Presidencën e Bosnjë e Hercegovinës.
Nga Bosnja, ajo do të shkojë në Serbi, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç dhe kryeministrin Millosh Vuçeviç.
Ditën e fundit të turneut, presidentja Ursula von der Leyen do qëndrojë për vizitë në Kosovë, kurse më pas do të shkojë në Mal të Zi, ku do të takohet me presidentin Jakov Milatoviç dhe kryeministrin Milojko Spajiç.
Fraksion.com