Presidenti Begaj priti presidenten e KE von der Leyen, çfarë biseduan në takim
Presidenti i Republikës Bajram Begaj, priti sot Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, me të cilën zhvilloi një diskutim të hapur për integrimin e Shqipërisë në BE, si dhe të ardhmen Evropiane të Ballkanit Perëndimor.
Zonja von der Leyen vlerësoi angazhimin personal të Kreut të Shtetit për të ardhmen e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, si edhe perspektivën unike që ky integrim ofron për paqtimin, integrimin ekonomik dhe prosperitetin e rajonit.
Presidenti Begaj përgëzoi Presidenten von der Leyen për vendosjen e integrimit të Shqipërisë dhe të Ballkanit Perëndimor në BE në krye të përparësive përgjatë mandatit të dytë të saj si Presidente e Komisionit Evropian.
Presidenti i Republikës çmoi angazhimin e Presidentes von der Leyen për të përshpejtuar hapjen e të gjithë kapitujve me Shqipërinë deri në fund të vitit 2025.
Presidenti i Republikës i shprehu mirënjohje Presidentes së Komisionit Evropian për mbështetjen ndaj Shqipërisë në rrugëtimin evropian, teksa nënvizoi edhe rëndësinë e mesazheve në samitin e fundit të Berlinit, si dhe miratimin nga BE-ja të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.
Presidenti Begaj theksoi në këtë takim se Shqipëria do të vijojë të mbetet një nxitëse e bashkëpunimit rajonal, duke shprehur bindjen e tij se nuk mund të ketë integrim evropian të rajonit pa një integrim ekonomik dhe bashkëpunim proaktiv të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Fraksion.com