AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Mbyllen pa përparim takimet ndërmjet kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel

Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi dhe ai i Serbisë, Petar Petkoviç, u takuan të enjten në Bruksel me ndërmjetësimin e të dërguarit evropian për bisedimet ndërmjet Prishtinës e Beogradit, Miroslav Lajçak, në kuadër të përpjekjeve për të filluar zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Për dallim nga organizimet e muajve të fundit, kësaj radhe u zhvillua një takim trepalësh, ndonëse sërish pa ndonjë përparim.

Kryengociatori serb, Petkoviç, tha se pala serbe nguli këmbë në zbatimin e marrëveshjes për Asociacionin e komunave me shumicë serbe dhe u ankua për siç tha, dhunën e regjimit të kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.

“Ne theksuam të gjitha rrethanat e vështira të jetës së serbëve në Kosovë. Biseduam për spastrimin etnik të kryer nga autoritetet në Prishtinë, lëvizjet e tyre të njëanshme dhe përshkallëzuese, mbylljen e institucioneve serbe, arrestimet ilegale të serbëve dhe të gjitha gjërat tjera që e vështirësojnë plotësisht pozitën e tyre dhe jetën e popullit serb në Kosovë, gjë që çoi në largimin e disa serbëve nga zona e veriut”, tha zoti Petkoviç.

Ai tha se pret që zoti Lajçak të organizojë takime të reja në të ardhmen.

Kryenegociatori i Kosovës, Bislimi, i vlerësoi të dështuara takimet e sotme ndërsa akuzoi Serbinë se po këmbëngul në zbatimin e pjesshëm të marrëveshjes duke e vlerësuar këtë qëndrim si joserioz.

Në një komunikatë shtypi të qeverisë së Kosovës thuhet se kryenegociatori Bislimi theksoi domosdoshmërinë e zbatimit të marrëveshjes në tërësi dhe pa vonesa, përmes një plani të sekuencimit të drejtë dhe të barabartë mes palëve.

“Ai nënvizoi dhe nevojën për nënshkrimin e marrëveshjeve, si garanci për zbatim të saj, patur parasysh refuzimin e vazhdueshëm të marrëveshjes nga Serbia dhe vijat e saj të kuqe që shkelin frymën dhe nenet e marrëveshjes, nevojën për tërheqjen e letrës së deponuar nga Serbia përmes ish-kryeministres Bërnabiq dhe dorëzimin e kryekriminelit dhe terroristit Millan Radoiçiç nga ana e Serbisë, si kryesi i aktit terrorist të Banjskës”, thuhet në njoftim.

Në prag të takimit Bashkimi Evropian tha se pret që palët të bien dakord për zbatimin e marrëveshjes së arritur vitin e kaluar në Bruksel dhe Ohër, ndërsa Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, qëndroi në Kosovë dhe Serbi në një përpjekje për të nxitur zbatimin e zotimeve që morën përsipër palët në Ohër.

Diplomacia perëndimore po shton trysninë mbi palët që të zgjidhin të gjitha çështjet e hapura në kuadër të bisedimeve në Bruksel.

Të enjten komandanti i ri forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë, Enrico Barduani, tha pas një takimi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti se bisedimet në Bruksel janë platforma e vetme për zgjidhjen e çështjeve të hapura dhe arritjen e zgjidhjeve që respektojnë të drejtat e të gjitha komuniteteve./VOA

 

Fraksion.com