Arrestimet e politikanëve, Shkullaku: SPAK do që Rama ta ketë fushën e lirë 6 muaj para zgjedhjeve
Gazetari dhe analisti Armand Shkullaku thotë se SPAK është i qartë për një qëllim të caktuar: Do që 6 muaj para zgjedhjeve, Edi Rama ta ketë fushën e lirë.
I ftuar në emisionin “Opinion” në Tv Klan, Shkullaku thotë se do të donte të shikonte pamjet e policisë nga momenti i arrestimit të ish-Presidentit Ilir Meta.
Blendi Fevziu: Më the që pamjet e Çyrbes dolën…
Armand Shkullaku: Pamjet e Çyrbes i ka shpërndarë policia pasi u bë zhurmë për pamjet e Ilir Metës. Do doja të shikoja pamjet e policisë gjatë arrestimit të Metës. Sepse këta kanë kamera. Ministri pretendoi se atij i është paraqitur mandati, i është kërkuar me mirësjellje që të dalë jashtë, Ilir Meta i ka sharë nga nëna dhe pastaj fyerjen shqiptari nuk e duron, e kanë tërhequr zvarrë dhe e kanë goditur. Mirë do të ishte të kishim parë pamjet e policisë. Ata janë të gjithë të pajisur me kamera.
Drejtësia e re ka marrë një vendim. Dosja e intelektualit Çyrbja nuk ka drejtë që të bëhet publike, kurse dosja e Ilir Metës u shpërnda para 2 ditësh tek të gjithë mediat. Aty përmenden njerëz, biznesmenë, politikanë, kjo del lirshëm. Atje ku përmenden emra të drejtuesve të policisë, zyrtarë të lartë të shtetit. Te dosja dalin prokurorë të SPAK, dalin ministra të qeverisë, prokurorë rrethesh, dalin individë në pushtet që punojnë për krimin e organizuar. Tek dosja e Çyrbes thuhet që ka zyrtarë të lartë që akoma nuk i kemi identifikuar, ata dihet se kush janë. Nëse duan t’i nxjerrin, i nxjerrin.
Blendi Fevziu: Ti po pretendon se SPAK është tendencioz?
Armand Shkullaku: Tendencioz është dikush që në një moment të caktuar merr një anë, kurse SPAK-u nuk është tendencioz, por është i qartë për një qëllim të caktuar. SPAK do që 6 muaj para zgjedhjeve, Edi Rama ta ketë fushën e lirë. Këtë radhë po e bën me SPAK-un, pa Sali Berishën, pa Ilir Metën. Unë kam kaq kohë që them këtu s’ka zgjedhje. Ne jetojmë në një vend ku SPAK nuk guxon ta pyesë Kryeministrin që të thotë se këta të krimit kanë kërkuar që Çyrbja të dalë i tretë. Nuk ka pasur asnjëherë zgjedhje./tvklan
Fraksion.com