AktualitetPolitikëTë fundit

Hapja e grup-kapitujve “Themeloret”, Fino për ATSH: Sjell zhvillim ekonomik, rrit investimet e huaja

Hapja e grup-kapitujve “Themeloret” të negociatave me Bashkimin Evropian përfaqëson një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit evropian, duke e vendosur vendin në një trajektore më dinamike dhe reformuese.

Zv/ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino, në një intervistë për Agjencinë Telegrafike Shqiptare foli mbi pritshmëritë konkrete për këtë proces, sfidat që Shqipëria përballet, si dhe rëndësinë e bashkëpunimit me institucionet evropiane dhe përfshirjen e shoqërisë civile.

Ajo gjithashtu theksoi se, hapja e këtyre grup-kapitujve do të sjellë përfitime të shumta për qytetarët shqiptarë, duke përmirësuar jetën ekonomike dhe sociale të vendit.

Intervista me zv/ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Megi Fino

ATSH: Cilat janë pritshmëritë konkrete të Shqipërisë për hapjen e grup-kapitullit të parë të negociatave me Bashkimin Evropian në Konferencën e Dytë Ndërqeveritare?

Fino: Hapja e grup-kapitullit të parë, i quajtur “Themeloret”, është guri i themelit në rrugën drejt Bashkimit Evropian, duke qenë se ecuria në të përcakton ritmin e të gjithë negociatave të anëtarësimit. Ai është grup-kapitulli i parë që hapet dhe i fundit që mbyllet.

Progresi në këto fusha shënon përfitime në mënyrë të drejtpërdrejtë për qytetarët shqiptarë si dhe ndër të tjera progresin e prekshëm në shtetformim, konsolidimin e gjyqësorit, shtetit të së drejtës, migracionin, çështjet e brendshme, reformimin e administratës publike.

Me hapjen dhe përmbushjen e kushteve të ndërmjetme në këtë grup-kapitull, Shqipërisë i lind e drejta të avancojë edhe në hapjen e grup-kapitujve të tjerë të negociatave të anëtarësimit, gjithsej 6, si edhe të mbyllë sa më shpejt kapituj të negociatave për të cilat Shqipëria është plotësisht e përgatitur.

Teknikisht, Shqipëria është gati që tani për të hapur një numër kapitujsh, duke aspiruar që të hapë edhe grup-kapituj të tjerë brenda javëve e muajve në vijim.

Hapja e negociatave ka rienergjizuar procesin, për mbajtjen e momentit të të cilit është dakordësuar një plan pune i detajuar bashkë me Komisionin Evropian, mbi çdo fushë që prek secili kapitull, gjatë çdo dite, pa humbur asnjë minutë nga ky moment shumë pozitiv për vendin tonë.

Puna në vijim dhe çdo reformë do të vazhdojë me këtë ritëm dhe me standardet e vendosura tashmë për të përfshirë një zhvillim të qenësishëm për të gjithë shoqërinë shqiptare.

ATSH: Si do të ndikojë hapja e këtyre kapitujve në përshpejtimin e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë?

Fino: Që nga data 15 tetor 2024 Shqipëria është bërë pjesë e një procesi tërësisht të ri në marrëdhënien me Bashkimin Evropian. Një proces i cili pritet të jetë më i madh dhe kuptimplotë se ai në të cilin kemi bërë pjesë deri tani, pasi do të jetë edhe më dinamik, më kërkues dhe më reformues. Ky proces është transformuar në një forcë të re, duke e shndërruar rrugëtimin tonë drejt BE si një rrugë pa kthim.

Hapja e grup-kapitullit të parë jo vetëm sjell një mesazh shumë pozitiv për Shqipërinë, por edhe me gjerë në kuadër të situatës aktuale gjeopolitike. Më konkretisht, sjell përmirësime në çdo fushë të përfshirë duke përafruar kuadrin ligjor si dhe duke transferuar njohuritë, ngritjen e kapaciteteve, përafruar strukturat, mekanizmat e proceset, duke i transformuar në nivelin e Bashkimit Evropian.

Kjo arritje do të sjellë zhvillim ekonomik, do të krijojë një ambient edhe më mikpritës për sa i përket rritjes së investimeve të huaja, do të aftësojë tregun shqiptar edhe më tej për të përballuar forcat e tregut evropian, ndërkohë që vazhdon zbatimi i reformave lidhur me shtetin e së drejtës, konkurrueshmërinë, e kështu me radhë.

ATSH: Cilat janë sfidat më të mëdha që Shqipëria përballet në përmbushjen e kushteve për hapjen e këtyre kapitujve?

Fino: Procesi i negocimit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian përmban emocione shumëdimensionale, momente krenarie, por një ndër sfidat dhe rëndësia e procesit është pa dyshim qëndrueshmëria dhe mbajtja e këtij momenti. Pasi ky nuk duhet të shihet si një moment vetëkënaqësie, por si një kohë për të reflektuar e planifikuar mbi këtë përgjegjësi të shtuar në mënyrë që të vazhdojë puna drejt progresit dhe ecurisë përgjatë punës tonë me të gjithë grup-kapitujt që do të hapen edhe në vijim.

Sfidë tjetër e rëndësishme lidhet me aspektin politik të negociatave, pasi rruga drejt anëtarësimit në Bashkimi Evropian është teknike, por mbart edhe peshën politike, për të cilën vendet e Ballkanit Perëndimor e kanë gjetur shpeshherë veten të penalizuar pikërisht prej aspektit politik.

Aspekt prioritar në këtë proces është që të mbetet një proces i bazuar në merita dhe të mos vendosen axhenda dypalëshe përpara axhendës sonë të përbashkët evropiane.

ATSH: Si është bashkëpunimi aktual me institucionet e BE-së dhe vendet anëtare në këtë fazë të negociatave?

Fino: Ecuria në negociatat e anëtarësimit është një rrugë me dy korsi. Në këtë rrugëtim, përtej detyrimit si vend negociues për të përmbushur reformat e nevojshme të brendshme, vendimmarrja është e Bashkimit Evropian. Kjo nënkupton që bashkëpunimi dhe shkëmbimet, përgjatë këtyre muajve të fundit, me shtetet anëtare të BE dhe institucionet evropiane, kryesisht Komisionin Evropian, kanë qenë intensive. Hapja e negociatave do të na krijojë një ndërveprim gjithmonë e më të shpeshtë jo vetëm për nevojën e ecurisë së shpejtë të Shqipërisë në procesin e negociatave të anëtarësimit, po edhe për përfitimin e bashkëpunimit teknik dhe dijen e administratave të shteteve anëtare apo të Komisionit Evropian.

Me nisjen e negociatave substanciale me hapjen e grupimit të parë, do të kemi mundësinë të përfitojmë më shumë integrim përpara anëtarësimit të plotë, duke siguruar akses të hershëm në struktura apo politika sektoriale. Sigurisht që kjo do të krijojë një mundësi të madhe për administratën shqiptare, jo vetëm për rritjen e profesionalizmit të saj dhe përgatitjen për anëtarësimin në BE, por edhe për të sjellë qasjen dhe standardet komunitare në punën e përditshme të administratës shqiptare për anëtarësimin në BE.

ATSH: A ka Shqipëria ndonjë plan konkret për të përmbushur prioritetet e parashtruara nga BE-ja për grup-kapitujt që do të hapen?

Fino: Shqipëria ka dakordësuar bashkë me Komisionin Evropian një plan pune të detajuar dhe të mirëfilltë për të vijuar më tej me procesin e negociatave, e cila do të jetë busulla e punës sonë të përditshme.

Gjithashtu, Shqipëria ka miratuar dhe prezantuar zyrtarisht Pozicionin e saj Negociues si dhe dy Udhërrëfyes mbi Sundimin e Ligjit dhe Reformën e Administratës Publike. Njëkohësisht, është përgatitur një Udhërrëfyes për Funksionimin e Institucioneve Demokratike, i cili nuk është piketë hapëse e grup-kapitujve, por do të ndiqet në vazhdimësi.

Një shtesë pozitive e këtij procesi është edhe Axhenda e Reformave, e cila u miratua njëkohësisht me vendimin për zhvillimin e Konferencës së Dytë Ndërqeveritare me Shqipërinë në 15 tetor 2024.

Ne jemi gati të bëjmë pjesën tonë, ndërkohë që procesi i reformave të brendshme po ecën me ritme të qëndrueshme dhe angazhimi ynë është që të jemi gati me piketat e ndërmjetme të grup-kapitullit të parë, brenda vitit 2025.

ATSH: Cilat reforma kyçe mbeten për t’u përmbushur përpara përmbylljes së negociatave në kapitujt e parë?

Fino: Grup-kapitulli i parë i “Themeloreve” përfshin, ndër të tjera, çështje që kanë të bëjnë me funksionimin e parlamentit, procesin zgjedhor, shoqërinë civile dhe njëkohësisht shërbimet publike, sistemin e drejtësisë dhe dhënien e drejtësisë për qytetarët me cilësi dhe shpejtësi e çështje të tjera me rëndësi të tillë.

Reforma në Drejtësi e cila është e rëndësishme jo vetëm për sa ka sjellë në lidhje me garantimin e pavarësisë, meritokracisë, llogaridhënien në sistemin e drejtësisë, transparencën, sikurse dhe për sa i përket ngritjes së institucioneve të pavarura, pasi sot jemi dëshmitarë të institucioneve që po sjellin rezultate konkrete. Në këtë kuadër, Shqipëria ka marrë një sërë angazhimesh në këtë grup-kapitull, duke qenë se ka hartuar tre udhërrëfyes që përcaktojnë hapa konkretë që duhet të ndërmarrë vendi për të qenë anëtar i BE me të drejta të plota. Këto hapa përbëjnë thelbin e përafrimit të standardeve dhe mekanizmave me Bashkimin Evropian me në qendër përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë.

Përveç Reformës në Drejtësi, e cila listohet si ndër më të rëndësishmet e këtij grup-kapitulli, pjesë e angazhimeve në këtë kuadër do të jetë edhe ngritja e një sistemi digjital të menaxhimit të çështjeve gjyqësore, i cili pritet të lehtësojë procedurat gjyqësore, duke shkurtuar edhe kohën për to.

Një tjetër angazhim kyç lidhet me shërbimet publike nëpërmjet platformës qeveritare e-Albania, ku Shqipëria pritet të përgatisë portofolin digjital që do të lehtësojë marrjen e shërbimeve në fushën e arsimit, të shëndetësisë, punësimit dhe më gjerë për qytetarët me anë të përafrimit me portofolin digjital të shërbimeve të Bashkimit Evropian, duke ia lehtësuar marrjen e shërbimeve në vendet e Bashkimit Evropian njësoj si në vendin e tyre.

Njëkohësisht, portali e-Albania do të zhvillohet edhe më tej duke ofruar standardin evropian për shërbimet kadastrale.

ATSH: Si parashikoni që ky hap të ndikojë në jetën ekonomike dhe sociale të vendit? A pritet që hapja e negociatave të përshpejtojë investimet e huaja dhe rritjen ekonomike të Shqipërisë?

Fino: Çdo hap drejt Bashkimit Evropian është një hap më afër zhvillimit rrënjësor ekonomik dhe social të vendit. Negociatat në vetvete shoqërohen me transformimin politik, ekonomik e social të vendit dhe për këtë qeveria shqiptare ka gati planin e reformave i cili shtrihet në kohë, për të qenë gati për anëtarësimin tonë në BE brenda këtij dhjetëvjeçari.

Grup-kapitulli i parë përfshin pesë kapituj si dhe tre kritere, ndër të cilët është kriteri ekonomik, një kriter thelbësor ky për t’u bërë pjesë e BE-së. Me këtë nënkuptohet aftësia e tregut shqiptar për t’u përballur me forcat e tregut të Bashkimit Evropian.

Puna për realizimin e këtij kriteri ka nisur që me Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Shqipëria, në bazë të vlerësimit të Komisionit Evropian ka bërë hapa të mëdha përpara, si dhe duhet të vijojë me të njëjtin ritëm për t’u aftësuar, në mënyrë që të fitojë mundësinë e aksesit në Tregun e Përbashkët të BE.

Një hap thelbësor në këto zhvillime, në vitet e fundit është edhe mundësia e integrimit gradual në Tregun e Përbashkët, me qëllim rritjen ekonomike, aftësimin dhe përfitimin e hershëm prej bizneseve dhe qytetarëve shqiptarë. Për këtë qëllim, u miratua edhe Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, përshirë Shqipërinë. Ky Plan do të sjellë zhvillime në disa sektorë ekonomikë prioritarë në Shqipëri, do të nxisë bashkëpunimin dhe integrimin ekonomik rajonal dhe do të mundësojë kështu rritjen e një konvergjence më të madhe ekonomike mes vendeve tona dhe BE-së, që përpara anëtarësimit. Ideja për nevojën e krijimit të një mundësie të tillë ishte e Kryeministrit Rama, në bashkëbisedim me përfaqësuesit më të lartë të strukturave të Bashkimit Evropian, duke vendosur theksin tek përfitimet konkrete të shoqërisë shqiptare.

Për 3-vjeçarin e ardhshëm, vlerësimet paraprake parashikojnë përfitim nga fondet e Bashkimit Evropian në masën e 922 milionë euro, nga të cilat një pjesë janë në formën e grantit dhe një pjesë kredi zhvillimore të kushtëzuara me hartimin dhe zbatimin e një axhende kombëtare reformash për përmirësimin e klimës së biznesit, punësimit dhe aftësive profesionale dhe sa i takon sundimit të ligjit në ekonomi.

Gjithashtu, Shqipëria është e gatshme të çelë shumë shpejt edhe negociatat për grup-kapitullin e dytë mbi tregun e brendshëm, si më i rëndësishmi për ekonominë, biznesin, lëvizjen e lirë të mallrave dhe kapitalit.

ATSH: Si do të sigurohet përfshirja e sektorëve të ndryshëm të shoqërisë civile në procesin e negociatave?

Fino: Procesi i negociatave është në vetvete një proces gjithëpërfshirës, pasi në qendër të tij ka zhvillimin, përafrimin me Bashkimin Evropian në çdo instancë dhe kuadër ligjor, transferimin e njohurive, ngritjen e strukturave dhe mekanizmave solid të një shteti demokratik evropian, duke zhvilluar vendin në çdo qelizë, duke prekur çdo qytetar.

Roli i shoqërisë civile në proceset shtetformuese është thelbësor dhe tashmë që Shqipëria nisi negociatat, kontributi i saj është akoma edhe më i dobishëm.

Të gjithë grupet e interesit në Shqipëri, përfshirë organizatat e shoqërisë civile, biznesin, akademinë, kanë mundësi aksesi në negociatat e anëtarësimit, si në nivel politikbërës, pranë Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian pranë Kuvendit të Shqipërisë, ashtu edhe në nivel teknik pranë strukturës negociuese të çdo kapitulli, të quajtura tryezat e Platformës së Partneritetit për secilin kapitull.

Tryezat e Platformës së Partneritetit drejtohen nga negociatori përkatës dhe përfshijnë jo vetëm grupin ndërinstitucional të punës me përfaqësues nga çdo institucion që kontribuon në kapitullin specifik, por gjithashtu mirëpresin në procesin e konsultimit edhe përfshirjen e shoqërisë civile, grupeve të interesit, komunitetit të biznesit, botës akademike.

Kjo është një praktikë e konsoliduar që do të vazhdojë dhe do të bëhet edhe më efektive edhe pas nisjes së negociatave në grupimin e parë, si edhe për çeljen e grupimeve të tjera.

Gjithashtu, grupet e interesit janë gjerësisht të përfshirë në monitorimin e Axhendës sonë të Reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor.

ATSH: Cilat janë hapat e mëtejshëm sa i përket hapjes së kapitujve të tjerë të negociatave?

Fino: Ndërkohë që jemi në pritje të raporteve screening nga ana e Komisionit Evropian për kapitujt për të cilët është bërë pasqyra e plotë e shqyrtimit analitik, ekipi negociator si dhe gjithë administrata publike ka treguar se është e gatshme për të vijuar me hapjen e kapitujve të tjerë pa humbur asnjë moment më shumë.

Përveç grup-kapitullit të parë, i cili në përputhje me metodologjinë e negociatave është detyrim të hapet i pari, në vijim mund të hapet cilido grup-kapitull që vlerësohet nga palët. Shqipëria ka treguar gatishmëri për të vijuar me hapjen e grup-kapitujve të tjerë, pasi jemi të përgatitur për të vijuar intensivisht shkëmbimin me institucionet e Bashkimit Evropian, ndërkohë që kuptojmë edhe rëndësinë e madhe që ka procesi i negociatave në vetvete në përmirësimin e jetës së shoqërisë shqiptare në tërësi.

Duke qenë se në total janë gjashtë grup-kapituj, ambicia jonë është të vazhdojmë progresin me ritëm të shpejtë duke hapur të gjashtë grup-kapitujt brenda vitit 2025. Për më tepër, synimi ynë është që deri në fund të vitit 2024, të zhvillojmë edhe një konferencë tjetër ndërqeveritare duke hapur grup-kapitullin e gjashtë të marrëdhënieve me jashtë. Shqipëria ka një linjëzim 100% me politikën e jashtme dhe të sigurisë me politikën e Bashkimit Evropian dhe shihet si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon. Në vijim mbetemi të gatshëm të bëjmë progres edhe me hapjen e kapitujve të tregut të brendshëm. Sfidat përpara mbeten, megjithatë me vullnetin politik dhe punën në ekip, jemi besimplotë se mund të arrijmë qëllimin tonë, sikurse kemi dëshmuar deri tani.

 

Fraksion.com