“Do shikojmë fytyrat si i kanë, a do e përballojnë dot”, Kryemadhi në GJKKO: Sistemi i drejtësisë i kastruar, nxorën sekretin hetimor
Deputetja e Partisë së Lirisë Monika Kryemadhi është paraqitur në GJKKO ku do të zhvillohet një seancë në lidhje me masën e sigurisë.
Kryemadhi tha para se të hynte në seancë se ky është një sistem drejtësie i kastruar, që përdoret për propagandën e qeverisë.
Ajo theksoi se do kërkojë llogari se kush e ka shpërndarë dosjen në media duke nxjerrë sekretin hetimor.
“Po shkoj sot për t’u paraqitur përballë një sistemi drejtësie të kastruar, në qoftë se inteligjencën nuk e kanë aq të zhvilluar sa të kuptojnë se çfarë do të thotë fjala kastruar, për t’u treguar dhe për të kërkuar nga ata kush e ka shpërndarë dosjen në media që ka nxjerrë sekretin hetimor. Pra, për të kuptuar që drejtësia e Edi Ramës nuk është drejtësia që kërkojnë shqiptarët, nuk është drejtësia e partnerëve tanë për të cilën kanë shpenzuar miliona dollarë dhe miliona euro. Do shikojmë dhe fytyrat si i kanë, a do e përballojnë dot apo jo”, tha Kryemadhi.
Ndaj deputetes së Partisë së Lirisë, SPAK ka vendosur masën detyrim paraqitje. Dy ditë më parë u arrestua dhe ish-bashkëshorti i saj Ilir Meta.
Fraksion.com