AktualitetPolitikëTë fundit

Deputetët e PD-së vijojnë takimet zyrtare në Parlamentin Europian

Në Strasburg përpara Parlamentit Europian deputetë të opozitës zhvilluan manifestim sensibilizues për të bindur deputetët europianë se në Shqipëri po shkelen të drejtat e opozitës dhe po cenohet demokracia përmes arrestimeve politike.

Veshu me bluzat ku shkruhej “Lironi Berishën” dhe flamurin e Shqipërisë, rreth 30 deputetë të PD-së kanë nisur një fushatë sensibilizuese përpara Parlamentit Europian.

Ndërkohë që një pjesë e deputetëve vijojnë takimet zyrtare në Parlamentin Europian. Deputetët Edi Paloka, Zheni Gjergji, Lefter Gështenja, Ramadan Likaj, Flamur Hoxha, Bledion Nallbati, Edmond Spaho, Kreshnik Çollaku, Asllan Dogjani, Isuf Çela, Elda Hoti, Lindita Metaliaj, Tritan Shehu, Sorina Koti, Kastriot Piroli, Tomor Alizoti, Dhurata Çupi, Qani Xhafa, Xhelal Mziu, Dashnor Sula, Saimir Korreshi, Ilda Dhori, Ludovik Hasanaj, Kasem Mahmutaj, dhe Petrit Doda, kanë njohur kolegët e tyre europianë me faktet e arrestimit politik të kryetarit të PD-së dhe liderit të opozitës Sali Berisha, duke kërkuar monitorimin nga afër të situatës dhe lirimin e tij të menjëhershëm.

Deputetët u takuan me Sandro Gozi, eurodeputet dhe Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike Europiane dhe Oihane Agirregoitia Martínez, përfaqësuese e grupit parlamentar “Renew Europe”.

Me arrestimin e Sali Berishës, liderit të opozitës, deputetët demokratë deklarojnë se synohet të cenohet barazia e palëve në zgjedhje. “Jemi në një vit zgjedhor, dhe drejtësia po përdoret për të goditur të gjithë drejtuesit e opozitës, që Edi Rama të konkurrojë me vetveten dhe të mbajë pushtet me dhunë” – shprehen deputetët demokrat.

 

Duke e konsideruar një hakmarrje politike luftën që Edi Rama i ka shpallur Partisë Demokratike, përmes burgosjeve politike, deputetët demokratë në një akt të pa ndodhur më parë, kanë zgjedhur këtë formë origjinale dhe të veçantë, për të tërhequr vëmendjen e eurodeputetëve, për situatën e rëndë ku ndodhet vendi.

 

Deputeti i PD-së Edi Paloka, njëkohësisht kreu i Këshillit Kombëtar i Partisë Demokratike tha nga Strasburgu se vështirësia për të tërhequr vëmendjen ndërkombëtare për demokracinë në Shqipëri është e madhe, për shkak edhe të luftërave që po ndodhin në botë.

Sipas Palokës, bota demokratike e sheh Shqipërinë si një vend që mjaftohet vetëm të ketë stabilitet dhe jo në mënyrën se si funksionon demokracia.

Ndërsa deputeti Tomorr Alizoti u shpreh se “kjo protestë është e domosdoshme sepse Shqipëria është vend kandidat për në BE. Dhe për të qenë vend kandidat i një grupi, i një bashkimi i cili ka disa kushte themelore. Madje që kur është bërë në kriteret e Kopenhagenit, kryesorja kanë qenë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Pra kriteri kryesor për të qenë vend i BE duhet të kesh mundësi të zgjedhësh”.

Deputetja Dhurata Çupo tha se “kemi liderët kryesorë të opozitës në masë arresti ose të burgosur. Kjo është fushatë e padrejtë, e pabarabartë duke përfshirë pastaj punonjësit e administratës, blerjen e  zgjedhjeve dhe deformimin e rezultateve zgjedhore”.

“Shqipëria është vend kandidat për antarësim në Bashkimin Europian, por demokratët akuzojnë Kryeministrin Edi Rama se ka ekzekutuar shtetin ligjor, ka asgjësuar balancën mes pushteteve, dhe ka eleminuar zgjedhjet e lira.
Për deputetët e PD, duke u bazuar edhe në të dhënat e bëra publike nga hetimet penale të përgjimeve SKY/ECC në rastin e ish-deputetit socialist Jurgys Çyrbja, Shqipëria është i vetmi vend në Europë që qeveriset me prova të pakontestueshme nga krimi i organizuar, deri në pikën që organizatat kriminale diktojnë edhe vendet e kandidatëve për deputet në listën e PS”.

 

Fraksion.com