Hungaria i kërkon BE-së t’i heqë imunitetin eurodeputetes Salis
Hungaria i ka bërë thirrje BE-së që t’i heqë imunitetin parlamentar eurodeputetes italiane Ilaria Salis, e cila u ndalua për 16 muaj në Budapest pas një sulmi të dyshuar ndaj neonazistëve.
Rasti i Salis, 39 vjeç, një mësuese nga Monza, afër Milanos, ngjalli protesta diplomatike dhe zemërim në Itali pasi ajo u paraqit në një gjykatë në Hungari janarin e kaluar e lidhur me zinxhirë, duar dhe këmbë.
Salis u arrestua në Budapest në shkurt 2023 pas një anti-proteste ndaj një tubimi neo-nazist dhe u akuzua për tentativë sulmi dhe anëtarësim në një organizatë të majtë ekstreme. Ajo mohoi akuzat, të cilat parashikonin një dënim deri në 11 vjet burg.
Në maj Salis iu dha arrest shtëpie në Budapest dhe muajin pasardhës ajo fitoi një vend në parlamentin e BE-së si kandidate me Aleancën e të Gjelbërve dhe të Majtët, duke i dhënë asaj imunitet nga akuzat.
Ajo u lirua nga arresti shtëpiak dhe u kthye në Itali në qershor.
Të martën, përfaqësuesit e partisë Fidesz të kryeministrit hungarez Viktor Orbán thanë në një seancë plenare të parlamentit evropian në Strasburg se Budapesti kishte kërkuar zyrtarisht heqjen e imunitetit parlamentar të Salis.
Salis shkruante në një shënim se “siç e kam thënë vazhdimisht, shpresoj që Parlamenti të zgjedhë të mbrojë shtetin e së drejtës dhe të drejtat e njeriut pa iu dorëzuar arrogancës së një “demokracie joliberale” me tendenca autokratike, që më ka shpallur tashmë fajtore në shumë raste përpara çdo vendimi”.
“Nuk është rastësi që transferimi i kërkesës në Parlament u bë më 10 tetor, një ditë pas ndërhyrjes sime në seancën plenare të presidencës hungareze, ku kritikova ashpër veprimet e Orbanit. Ajo që është në rrezik nuk është vetëm e ardhmja ime personale, por gjithashtu dhe mbi të gjitha e ardhmja e asaj që ne duam të jetë Evropa”, tha ajo.
Duke reaguar përmes X ndaj kësaj deklarate, zëdhënësi i qeverisë hungareze Zoltán Kovács akuzoi Salisin se “vepron sikur është viktimë”. Ai shprehet se “salis, jo vetëm që ishte turbulluese, por edhe krejtësisht e neveritshme”.
“Më lejoni ta sqaroj përsëri: ju nuk u arrestuat për ‘pikëpamjet tuaja politike’, ju u arrestuat dhe u gjykuat për raste të sulmit të armatosur ndaj qytetarëve të pafajshëm hungarezë”, thuhet në reagimin e Qeverisë hungareze.
Kërkesa e parlamentarëve hungarezë tashmë i është komunikuar edhe kryetares së Parlamentit Evropian, Roberta Metsola. Më pas kërkesa do të shpallet në parlament dhe do t’i referohet komisionit përkatës parlamentar.
Procesi përpara arritjes së votimit përfundimtar në parlament mund të zgjasë deri në katër muaj.
Fraksion.com