Hetim në azilet e të moshuarve/ Vrasje, zjarre dhe shmangie taksash. Një pjesë e qendrave nuk plotësojnë kushtet
Jo shumë ditë nga zjarrvënia në një azil privat në Tiranë ku u vu në rrezik jeta e 25 të moshuarve të cilët mbas veprimeve hetimore në vendngjarje rezultoi se mbaheshin në këtë qendër, prokuroria ka nisur hetimet për fshehje të të ardhurave dhe për shkelje të rregullave në punë.
Sipas burimeve të sigurta, dosja e referuar nga policia pranë organit të akuzës përmenden se si në qendrën e të moshuarve “Joshua center” në rrugën Ali Visha , në një objekt të përshtatur si azil mbaheshin shtetas me probleme të rënda shëndetësore. Pagesa mujore për trajtimin e të moshuarve sipas këqyrjeve është e ndryshme duke variuar nga 35 mijë lekë për të moshuar pa probleme shëndetësore deri në 70 mijë lekë për të moshuarit që kanë probleme dhe kanë nevojë për ilaçe.
Prokuroria dyshon se nga subjekti janë shmangur deklarimet tatimore dhe se nuk janë marrë masat për sigurimin nga zjarri duke kryer edhe veprën e nenit 289 të Kodit Penal. Megjithatë për këtë të fundit do të thonë fjalën e tyre ekspertët teknikë të zjarreve.
Nga zjarrrënia thuhet në dosje u rrezikua jeta e pesë të moshuarve të cilët u dërguan në spital për trajtim mjekësor.
Grupi i hetimit ka pyetur infermierët, kujdestaren në turn dhe ekonomistin . Ndërsa janë sekuestruar edhe dokumente të qendrës të të moshuarve. Aktualisht në të njëjtën prokurori janë nën hetim dhe dy infermiere të një qendre tjetër rezidenciale për moshën e tretë , të cilat dyshohen se fshehën vrasjen e Virxhil Veshos. Ngjarja ndodhi gjatë verës në azilin ‘ Ruaje moshën”, dhe dyshohet se kishte si autor Zydi Shehin që ndërroi jetë pas ngjarjes teksa mbahej me vendim të gjykatës nën kujdes mjekësor.
Brenda një kohë të shkurtër në azilet private kanë ndodhur dy ngjarje, ndërkohë që ende nuk është reflektuar mbi rekomandimet e Kontrollit të Lartë të Shtetit që kërkon rishikim të kujdesit në qendrat e azileve për të moshën e tretë.
Fraksion.com