Blushi: Arrestimi i Metës, akt i rëndë kriminal
Partia e Lirisë reagoi sot, pas arrestimit të kryetarit të kësaj force politike Ilir Metës, ish-president i vendit, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Tedi Blushi, sekretar i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë në një prononcim për mediet, e ka cilësuar si rrëmbim arrestimin e Metës, ndërsa tha se për këtë akt të rëndë kriminal do të jepet përgjigje shembullore.
“Kjo strukturë kriminale terroriste që guxoi të rrëmbente në mes të ditës ish-presidentin, ish-kryeministrin. Nuk e di ku ndodhet Meta tani dhe kjo tregon gjendje skandaloze. Për aktin e rëndë kriminal do të marrin përgjigjen shembullore”, u shpreh Blushi.
Ish-presidenti Ilir Meta u arrestua pak pas mesditës së sotme ndërsa ende nuk dihen të plota akuzat për të cilat u ndalua nga policia me urdhër të SPAK.
Në qershor të këtij viti, Ilir Meta, u mor në pyetje për më shumë se tre orë nga hetuesit e Prokurorisë së Posaçme, dhe nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur në lidhje me pasurinë e familjes./atsh
Fraksion.com