AktualitetEkonomiTë fundit

Berati në sezon turistik gjithë vitin: Flukset shtuan kapacitetet akomoduese, 700 apartamente në platformat AirBnB

Kudo në Berat, rrugët kryesore të qytetit, qendra historike dhe atraksionet turistike, periferia apo rrethinat, janë të mbushura plot me turistë në këto ditë vjeshte.

Për kryetarin e bashkisë së Beratit, Ervin Demo tashmë është fakt dhe është gjëja më interesante që qyteti i një mbi një dritareve e ka të gjithë vitin sezon turistik.

Në një intervistë për ATSH-në, kryebashkiaku Demo theksoi se Berati nuk ka më atë sezonin tipik që arrinte kulmin kryesisht në muajt e verës, pasi është i vizitueshëm në çdo kohë. “Kemi pasur një sezon atipik që ka nisur që me fillimin e vitit, në janar dhe vijon ende. Një turizëm që ne e quajmë gjithëvjetor”, u shpreh ai.

Ne, tha Demo, nuk i ndajmë turistët nga ata me pasaportë shqiptare apo ata me pasaportë të huaj.

“Është gjithashtu lajm i mirë që Berati është destinacion fundjave për shqiptarët. Çdokush që viziton Beratin është i mikpritur dhe merr shërbimin maksimal, kjo reflektohet në impaktin pozitiv të përgjithshëm. Për të folur me shifra pastaj, 800 mijë vizitorë ka pasur deri në muajin shtator. Nga këta, rreth 85% e vizitorëve janë të huaj”, theksoi Demo.

Gjatë këtij viti, risi në Berat ka qenë zgjerimi i vendeve nga vijnë turistët.

“Nëse më parë ishin zakonisht rreth e rrotull nesh, tani që flasim turistët vijnë nga shumë vende të BE-së si Spanja, Franca, Gjermania, Austria, Italia që qëndron në krye të listës, por kemi vizitorë edhe nga Azia, Australia, SHBA, Kanada etj. Këto janë shifra të matura. Tashmë në hyrje të kalasë së Beratit kemi instaluar kamera digjitale. Janë instaluar gjithashtu për çështje sigurie, por që kryejnë edhe këtë funksion, të matjes së vizitorëve”, tha Demo.

Një tregues tjetër, theksoi Demo, janë edhe biletat e Muzeut Onufri.

“90 mijë bileta, ose 30% më shumë vizitorë kanë vizituar muzeun Onufri, më shumë se vitin e kaluar. Sigurisht që jo çdo turist zgjedh të hyjë në muze. Kjo shpjegon edhe diferencën mes numrit total dhe atyre të muzeut”, tha Demo.

Demo konfirmoi shtimin e hoteleve dhe bujtinave në Berat gjatë këtij viti.

“Bumi turistik ka sjellë një shtim të strukturave akomoduese. Një realitet i rëndësishëm sot në Berat është shtimi i njësive akomoduese AirBnb. 700 apartamente janë të listuara në platforma serioze dhe jo vetëm brenda qytetit apo qendrës. Këto apartamente janë të shtrira edhe në periferi apo fshatrat turistikë duke i dhënë frymëmarrje një rrezeje më të gjerë”, tha Demo.

“Në Berat numërojmë afërsisht 4 mijë shtretër akomodues. Ndërkohë janë në proces e sipër ndërtimi rreth 30 njësi akomoduese, bujtina apo hotele, të cilat priten të rrisin kapacitetin akomodues”, shtoi Demo.

E veçanta e këtij sezoni është se në Berat dhe rrethinat vijojnë ende rezervimet si për muajin tetor edhe për nëntorin.

“Tetori për shembull është “fully booked” në hotele. Një pjesë e kanë edhe nëntorin të rezervuar. Në fund të tetorit dhe në fillim të nëntorit, specifikisht 31 tetor, 1 dhe 2 nëntor Berati do të organizojë Festivalin Mbarëkombëtar të Verës “Wine&Stories”. Ky festival është një tjetër arsye për të vizituar qytetin e kantinave në këtë periudhë ku do të ketë jo vetëm kantina nga Shqipëria, por edhe më të mirat nga Kosova dhe zonat arbëreshe në Itali. Le të shërbejë kjo edhe si një ftesë për këdo që dëshiron të vizitojë Beratin këtë periudhë”, theksoi Demo.

Fraksion.com