AktualitetBota+Të fundit

Sulm me dron ndaj shtëpisë së Kryeministrit izraelit Netanyahu

Qeveria izraelite njoftoi se një dron ishte lëshuar të shtunën në drejtim të shtëpisë së Kryeministrit Benjamin Netanyahu që ndodhet në qytetin Caesarea.

Zëdhënësi tha se as zoti Netanyahu dhe as bashkëshortja e tij nuk ndodheshin në shtëpi dhe se si pasojë e sulmit nuk pati viktima.

Ky zhvillim vjen ndërsa udhëheqësi suprem i Iranit tha se Hamasi do të vazhdojë luftën kundër Izraelit edhe pas vrasjes së organizatorit të sulmit të përgjakshëm të 7 tetorit të vitit të kaluar.

Ndërkaq në Gazë, të paktën 50 persona u vranë si pasojë e disa sulmeve izraelite, mes tyre edhe fëmijë, njoftuan zyrtarë të shëndetësisë, si dhe një gazetar i agjencisë së lajmeve ‘AP’.

Në shtator, rebelët Houthi të Jemenit lëshuan një raketë balistike drejt aeroportit ‘Ben Gurion’ ndërsa avioni me të cilin udhëtonte zoti Netanyahut po ulej. Raketa u interceptua nga forcat e sigurisë izraelite.

Sulmet e së shtunës ndaj Izrael vijnë ndërsa lufta e këtij vendi me grupin militant Hezbollah – një aleat i Hamasit që mbështetet nga Irani – është intensifikuar në javët e fundit.

Hamasi dhe Hezbollahu janë cilësuar si organizata terroriste nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Bashkimi Evropian e të tjera vende. Hezbollahu bëri të ditur të premten se planifikon të nisë një fazë të re luftimesh duke hedhur më shumë raketa me vetëdrejtim dhe duke shpërthyer dronë në Izrael.

Udhëheqësi prej një kohe të gjatë i grupit militant, Hassan Nasrallah, u vra nga një sulm ajror izraelit në fund të shtatorit dhe shteti hebre dërgoi trupa tokësore në Liban në fillim të tetorit.

Krahas dronit të lëshuar në drejtim të shtëpisë së zotit Netanyahut, ushtria izraelite tha se rreth 55 predha ishin qëlluar me breshëri nga Libani, në dy sulme të veçanta në pjesën veriore të Izraelin të shtunën në mëngjes. Disa prej tyre ishin interceptuar tha ushtria ndërsa shtoi se deri tani nuk ka njoftime për viktima.

Izraeli bëri gjithashtu të ditur të shtunën se kishte vrarë zëvendëskomandantin e Hezbollahut në qytetin jugor të Bint Jbeil. Ushtria tha se Nasser Rashid mbikëqyrte sulmet kundër Izraelit.

Në Liban, Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një sulm ajror izraelit të shtunën goditi një automjet në një autostradë kryesore në veri të Bejrutit, duke vrarë dy persona. Nuk dihet se kush ndodhej në makinë në momentin e sulmit.

Të tjera sulme izraelite goditën Gazën të shtunën. Ministria palestineze e Shëndetësisë bëri të ditur në një deklaratë se ishin goditur katet e sipërme të Spitalit Indonezian në Beit Lahiya dhe se trupat izraelite kishin hapur zjarr në ndërtesën e spitalit dhe oborrin e tij, duke shkaktuar panik mes pacientëve dhe personelit mjekësor. Në spitalin Awda në Jabaliya, ishin goditur katet e fundit të ndërtesës, duke plagosur disa pjesëtarë të personelit, bëhej e ditur në një deklaratë të spitalit./VOA

 

Fraksion.com