AktualitetPolitikëTë fundit

Kryenegociatoja Dhuka: Shqipëria gati të çelë të tjerë kapituj me BE

Ministrja e Shtetit dhe Kryenegociatorja e Shqipërisë me Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, deklaroi sot se, Shqipëria është gati të çelë të tjerë kapituj me BE.

Në një intervistë për Top Channel, Dhuka tregoi se çfarë përfitojnë qytetarët shqiptarë nga çelja e grup-kapitullit të parë me BE.

“Grup-kapitulli i njohur ndryshe në gjuhën e negociatave si “Themeloret”, është grupi i parë i kapitujve, më i rëndësishmi nga të gjithë. Është ky grup i kapitujve që hapet i pari dhe mbyllet i fundit dhe përcakton shpejtësinë në progresin me negociatat për anëtarësim në familjen evropiane”, tha Dhuka.

“Ky grup-kapitujsh përmban 5 kapituj dhe 3 kritere shumë të rëndësishme të funksionimit të një demokracie, institucioneve publike me në qendër shërbimet publike për qytetarët. Janë çështje me funksionimin e parlamentit, procesin zgjedhor, shoqërinë civile dhe njëkohësisht shërbimet publike, sistemin e drejtësisë dhe dhënien e drejtësisë për qytetarët me cilësi dhe shpejtësi e çështje të tjera me rëndësi të tillë. Në këtë kuptim në kuadër të negociatave për t’u bërë pjesë e familjes evropiane Shqipëria ka marrë një sërë angazhimesh në këtë grup-kapitujsh, duke qenë se ka hartuar tre udhërrëfyes që janë harta me hapat që duhet të hedhë vendi deri sa të jetë anëtar i familjes evropiane”, theksoi Dhuka.

Tashmë, shtoi Kryenegociatorja, “këto angazhime janë të rëndësishme me përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët. Në qendër të tyre është përafrimi standardeve me BE dhe modernizimi shërbimeve për qytetarët”.

Ajo solli disa shembuj të këtyre reformave ose nismave.

“Së pari, do të flas për sistemin e drejtësisë dhe shërbimin për qytetarët në sistemin e drejtësisë. Si pjesë e këtyre angazhimeve do të jetë ngritja e një sistemi digjital të menaxhimit të çështjeve gjyqësore që do të lehtësojë procedurat gjyqësore, aksesin e qytetarëve në procedurat gjyqësore dhe njëkohësisht do të shkurtojë kohën për procedurat gjyqësore dhe vendimet. Ju e dini që ne kemi sfida në listën e pritjes, për çështjet penale më pak, dhe më shumë për çështjet civile dhe ato administrative në gjykatat tona. Zhvillime të tilla kanë rëndësi për të përmirësuar standardet evropiane dhe standardet ndaj qytetarëve”, tha Dhuka.

Një tjetër shembull që solli Dhuka në kuadër të angazhimeve për negociatat është ai i lidhur me të drejtat e pronës.

“Shqipëria ka bërë progres në të drejtën e pronës dhe shërbimet kadastrale e sidomos modernizimit të tyre e shërbimeve në e-Albania. Por ne kemi ende angazhime për të ofruar standardin evropian. Këto janë të lidhura me hartat dhe kartelat, me digjitalizimin e tyre me standardin evropian drejt një shërbimi kadastral të digjitalizuar. Edhe këtu Shqipëria ka marrë një numër angazhimesh për 3 deri 5 vitet që vijnë, të cilat presim të transformojnë radikalisht shërbimet e provave dhe ato kadastrale në favor të qytetarëve, bizneseve dhe investitorëve, e kështu me radhë”, shtoi ajo.

Dhuka nënvizoi se të tjera angazhime lidhen me shërbimet publike përmes platformës e-Albania.

“Shqipëria do të përgatisë një portofol digjital që do të lehtësojë marrjen e shërbimeve në fushën e arsimit, të shëndetësisë punësimit dhe më gjerë për qytetarët me anë të përafrimit dhe trupëzimit të një standardi evropian dhe njëkohësisht presim që në 3-4 vitet që vinë atë ta lidhim edhe me portofolin digjital të shërbimeve të BE. Kjo do të thotë se kur qytetarët shqiptarë do të udhëtojnë drejt BE do t’i marrin më lehtë shërbimet, si të jenë në vendin e tyre”, u shpreh Kryenegociatorja.

Lidhur me avantazhet dhe sfidat e vendit tonë në kapitullin e parë, Dhuka u shpreh se, Shqipëria i çeli negociatat në bazë të meritës.

“I plotësoi kushtet për çeljen e negociatave dhe kjo u arrit si rezultat i reformave dhe progresit me reformat. Sidomos reforma në drejtësi, por edhe një numër të tjerash të domosdoshme për shërbimet ndaj qytetarëve. Ky është një avantazh i madh. Është një investim i rëndësishëm i vendit i qeverisë, institucioneve publike që ndërtoi këtë mundësi të madhe për të çelur negociatat për anëtarësim në familjen evropiane”, tha ajo.

“Sfidat janë të lidhura me angazhimet e marra. Vetëm në tre udhërrëfyesit kemi 855 masa, nisma të lidhura me reformat kryesore në këto fusha. Sfida është në përmbushjen e angazhimeve në një kohë të shkurtër. Shqipëria e ka marrë angazhimin t’i përmbushë kriteret për anëtarësim deri në 2030”, theksoi Dhuka.

Sa i takon hapjes së grup-kapitujve të tjerë, Dhuka nënvizoi se, Shqipëria është gati teknikisht që tani për të hapur një numër kapitujsh.

“Shqipëria aspiron të hapë edhe dy kapituj të tjerë në javët dhe muajt që vijnë, pra së shpejti. Është fjala për kapitullin e lidhur me politikën e mbrojtjes dhe sigurisë, ku Shqipëria është e linjëzuar 100% me politikën e BE-së si dhe një faktor i sigurt paqeje dhe stabiliteti në rajon dhe marrëdhëniet me jashtë”, tha ajo.

Gjithashtu, shtoi Dhuka, “Shqipëria është gati të progresojë shumë shpejt me hapjen e kapitujve të tregut. Ato janë shumë të rëndësishme për qytetarët, ekonominë dhe biznesin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve, më mundësinë për t’u punësuar, studiuar më shumë përfshi lëvizjen e lirë të mallrave të kapitalit e kështu me radhë”.

“Shqipëria është teknikisht e gatshme për të hapur një numër kapitujsh të tjerë në javët dhe muajt që vijnë dhe ne presim me besim dhe padurim vendimin e vendeve anëtare për t’i mundësuar Shqipërisë të progresojë me një numër kapitujsh të tjerë në një kohë të shpejtë”, theksoi kryenegociatorja Majlinda Dhuka.

Fraksion.com