AktualitetPolitikëTë fundit

Korridori VIII në qendër të diskutimeve të Ministerialit të NATO-s

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu, mori pjesë në takimin dyditor të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s, që u mbajt në selinë e Aleancës në Bruksel, Belgjikë, më 17 – 18 tetor 2024.

Në ditën e dytë të Ministerialit, ministrat e Mbrojtjes diskutuan mbi zbatimin e vendimeve të marra gjatë Samitit të Uashingtonit, progresin në forcimin e parandalimit dhe mbrojtjes, si dhe vlerësuan operacionet dhe misionet aktuale të Aleancës.

Gjatë fjalës së tij në këtë sesion, ministri Vengu theksoi rëndësinë e qasjes gjithëpërfshirëse të parandalimit dhe mbrojtjes, duke kërkuar vëmendje të shtuar për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ndau shqetësimin për sfidat e sigurisë me të cilat përballet rajoni.

“Është e rëndësishme, – theksoi Vengu, – që ne të flasim qartë dhe të veprojmë shpejt për të garantuar sigurinë e rajonit nën ombrellën e sigurisë euroatlantike.”

Ministri gjithashtu vlerësoi rolin thelbësor të misionit KFOR në sigurimin e stabilitetit në rajon, ndërkohë që bëri thirrje për vëmendje të shtuar ndaj dinamikave hibride dhe aktiviteteve malinje, veçanërisht në veri të Kosovës dhe ndaj zhvillimeve shqetësuese në Bosnjë-Hercegovinë.

Ai nënvizoi rëndësinë e një komunikimi të qartë nga Aleanca për të lehtësuar dialogun politik midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe nevojën për veprime të shpejta për t’iu përgjigjur çdo ndryshimi në situatën e sigurisë.

Ministri vlerësoi gjithashtu vendimet strategjike të NATO për integrimin euroatlantik të rajonit dhe rikonfirmoi se roli i KFOR është i pazëvendësueshëm për stabilitetin e Ballkanit.

Shqipëria, nga janari 2025, do të rrisë praninë e saj në misionin EUFOR-ALTHEA.

Ministri Vengu theksoi gjithashtu angazhimin e qeverisë shqiptare për investimet në krijimin e një infrastrukture solide për Vendin Pritës (“Host Nation”), që përfshin Korridorin VIII me pikë hyrëse në Bazën Detare të Porto Romanos, duke lehtësuar lëvizjen e shpejtë të forcave aleate në krahun juglindor të Aleancës.

Korridori VIII, si një nyje e rëndësishme lidhëse në rajonin e Ballkanit, ishte në qendër të diskutimeve edhe në Ministerialin e NATO-s.

Së bashku me homologët e Italisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut, ministri Vengu nënshkroi dokumentin që bashkon edhe Rumaninë në Letrën e Qëllimit të nënshkruar nga Shqipëria, Italia, Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria, lidhur me lëvizshmërinë e trupave përgjatë Korridorit VIII. Letra e Qëllimit u nënshkrua nga palët gjatë Samitit të Uashingtonit, në korrik 2024.

 

Fraksion.com