AktualitetPolitikëTë fundit

Opozita përplaset me Gardën te “gardhi metalik”, Noka: Parlamenti është kthyer në burg të sigurisë së lartë

Në seancën e sotme plenare, opozita ka vijuar sërish mosbindjen civile, duke krijuar kaos jashtë ambienteve të Kuvendit, por edhe brenda sallës.

Për të shmangur përplasjet ndërmjet ligjvënësve të opozitës, me ato të mazhorancës, Garda e Republikës rrethoi me gardh metalik Kuvendin, ndërsa deputetët e Partisë Demokratike, kërkuan që të futen me forcë, duke shkuar deri në konfrontime fizike.

Një pjesë prej tyre, të përjashtuar nga Komisioni i Etikës, u përplasën me forcat e sigurisë së Gardës dhe nuk u lejuan që të futen brenda ambienteve të Kuvendit.

Sekretari i përgjithshëm i PD, Flamur Noka, i cili u përplas edhe me forcat e sigurisë, duke folur jashtë Parlamentit, u shpreh se ky institucion është kthyer në një burg të sigurisë së lartë pikërisht në ditën kur hapen negociatat me BE-në.

“Ky është një burg i sigurisë së lartë. Ditën që hapen negociatat, ky parlament kthehet në një burg të sigurisë së lartë”,- u shpreh Noka.

“Miss 5 milionë dollarë e ka kthyer parlamentin në një burg të sigurisë së lartë ku nuk lejohen takimet. Ja, ky është parlamenti i vendit që hapi negociatat,”- tha sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka për mediat tek parlamenti.

Përshkallëzimi i qëndrimeve të opozitës për bojkot në seancat plenare dhe mosbindje civile, ndodhi pas dënimit nga Gjykata e Apelit, me 1 vit burg të ish-deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianji, për dosjen “Babale”.

 

Fraksion.com