Majko: Pse hodhët molotov në godinën e PS?
Në seancën e sotme plenare në Kuvend ka pasur debate mes deputetëve të opozitës dhe mazhorancës.
Ishte deputeti i Partisë Demokratike, Tritan Shehu, që deklaroi se kjo që po ndodh në Kuvend është “grusht shteti”.
Ai u shpreh se deputetët po bllokohen e nuk po lejohen të jenë pjesë e punimeve të seancës, ndërsa shton se që nga viti 1991, kjo nuk ka ndodhur.
“Grusht shteti! Po bllokohen deputetët. Janë edhe ata të padënuar dhe Garda nuk po i lejon të futen. Të vendoset rendi ushtarak në Kuvend. Ministër i Brendshëm, janë efektivët e tu ata. Kam që në ’91 deputet, kjo nuk ka ndodhur kurrë. Ja, të flasë Majko”, tha Shehu.
Ndërsa deputeti i Partisë Socialiste, Pandeli Majko, u shpreh se Shehu ka qenë kryetar i PD në kohën kur kryetari i PS ka qenë në burg.
“Personi që sapo komentoi është përveçse kolegu im i vjetër, ka qenë dhe kryetar i PD në një periudhë shumë “interesante” për demokracinë, kur kryetari i PS në atë periudhë ka qenë në burg i dënuar disa vjet dhe e bënte burgun në Tepelenë. Avokati aktual i z. Berisha ka qenë prokurori i tij. Besoj që do ta mbajë mend precedentin”, tha Majko.
“Unë nuk mendoj që këtu është vendi për të kujtuar shumë nga e kaluara. Unë ju respektoj juve dhe kolegët e PD-së. Tani, unë për ju si ish-kryetar i PD-së, meqenëse përmendët dhe të kaluarën, kam vetëm një pyetje: Zotëri, meqenëse përmendët përgjegjësinë politike dua t’ju bëj vetëm një pyetje për të cilën do të doja përgjigje nga ju. Pse keni hedhur molotov në godinën e PS-së gjatë protestës tuaj? Kjo nuk ka ndodhur as në shtator të 1998-ës kur politika ka shkëmbyer plumba me njëri-tjetrin. Dua përgjigje nga ju. Pse keni hedhur molotov? Si e konsideroni këtë akt? Çfarë domethënie ka kjo?”, iu drejtua Majko-Shehut.
Për debatin reagoi edhe zv/kryeministrja Belinda Balluku, e cila u shpreh se, “historia është e pakontestueshme! Pandi Majko, i qartë dhe i saktë si gjithmonë, por nuk dëgjuam asnjë përgjigje nga Tritan Shehu dhe jo se u çuditëm, ç’të thotë dhe ai?!”.
Fraksion.com