Tabaku: Skema e pensioneve ka dështuar, duhet një reformë e thellë
Deputetja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale foli në lidhje me pensionistët, ku u shpreh se sot në Shqipëri, 700.000 pensionistë varen nga pensionet, e që sipas deputetes demokrate, mund të quhen më tepër lëmosha, sesa një pension i drejtë për punën e tyre në shërbim të vendit.
Tabaku theksoi se raporti i pensionistëve me totalin e popullsisë është 30%, duke e cilësuar si një nga raportet më të larta në rajon. Kjo, sipas deputetes së PD, është një tjetër shkak që duhet të kemi në vëmendje skemën e pensioneve.
Tabaku u shpreh se reforma e pensioneve në 2015, ishte një skemë e dështuar, që nuk i ofron një jetë me dinjitet kësaj kategorie.
“Shqipëria ka sot normën më të lartë të pensionistëve si përqindje të popullsisë, 30%. 700.000 pensionistë varen sot nga pensionet, nga lëmoshat në fakt që ofron qeveria. Rritja e fundit, që nuk ishte as indeksim, 25 Lekë në ditë, tregon qartësisht se skema e pensioneve ka dështuar për t’ju ofruar një jetë dinjitoze 700.000 pensionistëve.”- tha Tabaku.
Deputetja e PD theksoi se modeli ekonomik i zgjedhur nga qeveria është një nga arsyet kryesore për këtë situatë. Sipas saj, modeli ekonomik aktual nuk po krijon bazën e nevojshme për të mbështetur një skemë pensionesh të qëndrueshme dhe të shëndetshme.
“Model ekonomik i cili po të jetë i shëndetshëm, ofron një pension të shëndetshëm. Po të jetë i mirë dhe i qëndrueshëm, sigurisht që ofron një pension të shëndetshëm. Por duke qenë se sot rritja e pagave bëhet me telekomandë dhe jo sipas nevojave që ka tregu dhe biznesi, sot reforma e pensioneve ndodhet në një pikëpyetje të madhe”- u shpreh Tabaku.
Tabaku u shpreh se nevojitet një reformë e thellë e sistemit të pensioneve, e cila të bazohet në një model ekonomik që promovon rritjen dhe ndihmon biznesin të krijojë më shumë vende pune.
Fraksion.com