Proda takim me drejtorë vendorë të Policisë: Rritje e parametrave të sigurisë publike dhe rrugore
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, zhvilloi një takim pune me drejtorët vendorë të Policisë.
Në qendër të takimit ishin analizat 9-mujore, performanca e punës së çdo punonjësi të policisë, duke filluar nga drejtori i Drejtorisë Vendore deri te punonjësi i rolit bazë si dhe mbajtja nën kontroll e situatës kriminale.
Në fokus të takimit të Prodës me drejtorët vendorë ishte edhe rritja akoma më shumë e parametrave të sigurisë publike dhe rrugore.
Ndërsa një vëmendje e veçantë në takim iu kushtua luftës kundër trafiqeve të paligjshme dhe çdo paligjshmërie që shfaqet në territor, si dhe ndjekja në dinamikë e konflikteve dhe ankesave të qytetarëve.
Proda u kërkoi drejtuesve vendorë të Policisë të qëndrojnë në krye të shërbimeve, të ushtrojnë kontroll për zbatimin e detyrave nga vartësit dhe të jenë vigjilentë ndaj shqetësimeve dhe ankesave të qytetarëve.
Pavarësisht përcaktimeve në ligjin e ri të Policisë që drejtuesit vendorë duhet të hyjnë në konkurrim, Drejtori i Përgjithshëm u ka kërkuar drejtuesve vendorë të Policisë të kryejnë detyrën me përkushtim sa kohë që janë në atë detyrë.
Në përfundim, Proda theksoi se performanca në punë, integriteti dhe profesionalizmi janë kriteret thelbësore për një punonjës policie dhe mbi këto kritere do të bazohet vlerësimi i secilit punonjës policie.
Fraksion.com