Investimi i qeverisë gjermane po transformon “Qytetin Studenti”
Në “Qytetin Studenti” Nr.1 ka përfunduar rindërtimi i pesë godinave të fazës së parë të projektit të përbashkët mes qeverisë gjermane dhe Bashkimit Europian.
“Qeveria gjermane ka dhënë më shumë se 30 milionë euro në formën e granteve dhe një huaje përmes KfW-së në këtë projekt, ndërsa Instrumenti i Investimeve tw Ballkanit Perëndimor i BE-së ka dhënë grantin prej rreth 5 milionë eurosh përmes KfW-së” – thotë Florion Ferro, përfaqësues i Bankës gjermane për Zhvillim.
“Shembëm muret dhe rikonceptuam dhomat”
Maja Studoviç, menaxhere projekti pranë kompanisë gjermane “Fichtner Gmbh Consulting” i ka parë godinat e vjetra që në çastet e para kur nisi puna. Ajo thotë se shumica e punës inxhinierike të bërë në fazën e parë, ishte shembja nga e para e mureve dhe konceptimi i dhomave me tualete dhe dushe brenda, në ndryshim nga ç’ishin më parë, ku kryesisht dushet ishin në pjesën e bodrumeve dhe në numër shumë të vogël.
“E kuptoni çfarë do të thotë të zbresësh me robdëshambër nga kati i pestë i konviktit, të shkosh të bësh dush në bodrum dhe të ngjitesh sërish sipër, edhe në temperatura të ulëta?” – thotë Studoviç për DW.
Ajo thekson se nevoja për të rindërtuar mjedise sa më të përshtatshme për studentët, ndryshoi dhe filozofinë e KfW, e cila në zbatimin e projekteve të saj përdor 50% të buxhetit për efiçencën e energjisë dhe pjesën tjetër për pjesën strukturore. “Zakonisht, financimet e KfW janë rindërtim në themel, por në këtë rast 70% iu kushtua ristrukturimit të dhomave të pesë godinave të para, me qëllim zgjatjen e jetëgjatësisë së ndërtesave dhe rritjen e rehatisë për studentët që do të jetojnë këtu”.
Në thelb një kusht shumë bazik, dushet brenda në dhomë në Tiranë janë konsideruar një luks deri në rindërtimin e godinave të reja. “Tualeti brenda në dhomë dhe ndarja e dushit vetëm me shoqen e dhomës më duket shumë komoditet” – konfirmon Melisa, studentja nga Elbasani.
Panele diellore në çatitë e konvikteve
Duke shfrytëzuar klimën e favorshme dhe ditët me diell në pjesën më të madhe të vitit në Tiranë, projekti ka përfshirë edhe vendosjen e paneleve diellore me qëllim uljen e kostove për studentët si dhe përdorimin e energjisë së rinovueshme.
“Përveç përmirësimit të kushteve të jetesës për studentët, rinovimi i efektshëm i energjisë gjatë fazës së parë ka kontribuar në uljen me rreth 40% të konsumit të energjisë në godinat e rikonstruktuara, duke e bërë menaxhimin e “Qytetit Studenti” me më pak kosto dhe më të qëndrueshëm” – theksoi përfaqësuesi i KfW-së, Ferro.
Në të gjitha godinat e rindërtuara dhe që do të ndërtohet në muajt në vijim, janë instaluar sisteme ngrohjeje dhe ftohjeje, një tjetër domosdoshmëri që i mungonte konvikteve të Qytetit Studenti.
Projekti do të finalizohet pas katër fazash, me rindërtimin e plotë të 19 godinave të “Qyteti Studenti 1” dhe me akomodimin e mbi 3000 studentëve./DW
Fraksion.com