AktualitetKosovaTë fundit

Çka dihet për grupin e ri të afganëve në Kosovë?

Gjashtëdhjetë e tetë shtetas afganë u vendosën nga 13 tetori në Kosovë, por koordinimi i strehimit të tyre nuk u bë me Qeverinë amerikane, sikurse më herët.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të Radios Evropa e Lirë në lidhje me ta, Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës tha se “kërkesa për mbrojtjen e përkohshme të tyre është bërë nga organizata Infinitus Salvator, e regjistruar në SHBA”.

“Në respektim të plotë të procesit, por edhe të të dhënave personale të personave që kemi pranuar, ne nuk mund t’i ofrojmë të dhënat e tyre personale dhe as vendqëndrimin e tyre”, tha MPB-ja.

Sipas saj, grupi i ri i afganëve “ka të drejtën e lëvizjes së pakufizuar” në Kosovë, ndryshe nga ata të parët që fillimisht kishin lëvizje të kufizuar.

I kontaktuar nga REL-i në lidhje me këtë rast, Departamenti amerikan i Shtetit tha se është duke punuar drejtpërdrejt me Qeverinë e Kosovës “për të gjetur zgjidhje të qëndrueshme për pak afganët e mbetur, që janë sjellë më parë në Kosovë dhe janë nën kujdesin e SHBA-së”.

DASH-i nuk u prononcua për grupin e fundit të afganëve./REL

 

Fraksion.com